E premte, 28 Gusht 2015
Sonte pas mesnate, rreth orës 00:35 minuta në Qendrën Intensive të QKUK-së, në moshën 95 vjeçare ka vdekur Akademik Mark Krasniqi.
Ai u shtri në QKUK dy ditë më parë, pas një përkeqësimi të shëndetit, shkruan Botapress.
Mark Krasniqi ishte profesor, shkrimtar dhe akademik.
Lindi më 19 tetor 1920 në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon-Kokaj), afër Pejës.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse më 1941 gjimnazin në Prizren.
Prej vitit 1941-1943 ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), e prej 1946- l950 ka studiuar gjeografinë e etnografinë në Universitetin e Beogradit.
Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës Rilindja në Prizren, bashkë me Esad Mekulin e Omer Çerkezin, kurse prej vitit 1947-l949 ka punuar në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe) gazetar-redaktor.
Prej 1950-1961 ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd si asistent, pastaj bashkëpunëtor shkencor.
Ka diplomuar më 1950 në Beograd, kurse më 1960 ka doktoruar në Universitetin e Lubjanës.
Prej 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pushteti i atëhershëm e përjashtoi nga procesi mësimor.
Ka qenë disa herë prodekan dhe dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik.
Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993).
Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ka botuar më se 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore, si dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbishtja e sllovenishtja në gjuhën shqipe.
Ishte edhe autor i pėrmbledhjes së poezive pėr fėmijė “Posta e porositur”. Ka shkruar poezi për fëmijë dhe të rritur, po ashtu është marrë me studime shkencore në lëmitë e gjeografisë dhe etnografisë.