Veliaj: Ndaj Serbisë superiorë moralisht dhe ushtarakisht


E premte, 2 Maj 2014

“Fuqia jonë negociuese është më e madhe në Ballkan. Sot jemi një anëtar i NATO-s dhe kjo do të thotë që është bërë praktikisht e pamundur që Shqipëria të kërcënohet në territorin e saj. Jemi në një tavolinë me një superioritet moral dhe sigurisht edhe ushtarak në këtë situatë. Ndaj gjykoj që mbi këtë realitet të ri duhet të avancojmë këtë marrëdhënie”, ka theksuar Ministrit i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj

Intervistoi: Denion Ndrenika

Redio Kosova: U kam dëgjuar shpesh të flisni për tregun e punës, për heqjen e lejeve nga Mitrovica në Gjirokastër. Unë kam tri nën pika, të cilat mund t’i përmblidhni në një përgjigje të vetme. E para sa shpresoni dhe besoni se do të jetë numri i të punësuarve? E dyta, si do të hiqen lejet e punës, mbi ç’procedura? E treta, cilët janë sektorët që Ju, apo bashkarisht me qeverinë e Kosovës, përfshi edhe Luginën e Preshevës, i keni identifikuar?

Erion Veliaj: Për çështje teknike ka një ekip juristësh që po punon. Së shpejti ne do të ratifikojmë marrëveshjen dhe do ta kalojmë edhe në qeverinë tonë dhe në parlamentin tonë dhe pastaj edhe në ato të Kosovës. Janë disa fusha profesionesh, në të cilat Shqipëria ka një sufiçit. Ne kemi një inflacion juristësh. Kjo është një arsye që ka shumë juristë shqiptarë që punojnë në Kosovë për institucionet e qeverisë së Kosovës apo ndërkombëtare. Ndërkohë, që gjykoj që Kosova ka bërë një punë më të mirë në arsimin profesional. Kemi një pjesë të madhe të të rinjve të Kosovës që sot punojnë si softuer dizajn dhe njerëz që punojnë në soft dhe në programim kompjuterësh, pra që Kosova i ka pasur më me bollëk vitet e fundit se sa Shqipëria. Janë disa profesione dhe unë mora vetëm dy për shembull, ku secili prej vendeve ka një avantazh. Dhe, se sa të presim një gjeneratë tjetër, është më mirë të shkëmbejmë këtë fuqi punëtore. Nuk është çështja për të krijuar fiktivisht vende të reja pune, por është për të gjetur njerëzit e duhur për punën që ka nevojë tregu. Ne sot në Shqipëri ka vende pune. Çështja është që ne nuk kemi mjaftueshëm njerëz me arsim profesional për vendet që kërkohen nga këto kompani. Portali ynë www.puna.gov.al” ka sot rreth 3 mijë vende pune. Kryesisht kërkohen njerëz që kanë mbaruar kimi ushqimore, inxhineri ndërtimi, inxhineri tekstile, industri ushqimore, pra gjëra që kërkojnë një arsim profesional. Fatkeqësisht këto nuk i kemi, por fatmirësisht ka në Kosovë njerëz me bekgraund të tillë. Sot shumë prej projekteve tona të ndërtimit kanë inxhinerë kosovarë, që kanë një eksperiencë të mirë në ndërtim në Zvicër, në Gjermani, në Austri. Ndaj dhe gjykoj që është më mirë, është një moment ideal për ta koordinuar më mirë ofertën tonë të punësimit. Kur vjen puna pastaj, për punë që nuk kërkojnë shumë kualifikim, siç është sektori fason, këto shumë shpejt me një trajnim disaditor apo disajavor dikush kualifikohet. Por, për punë që kërkojnë një kuotë të lartë përgatitjeje, gjykoj që tregu kosovar i punës është shumë i dobishëm.

Radio Kosova: Zoti ministër, bashkëpunimi me qeverinë e Kosovës është quajtur më shumë se “i mirë” për një periudhë të gjatë kohore. Megjithë përpjekjet e vazhdueshme, pavarësisht konjukturave të ndryshme ndërkombëtare, në periudha të ndryshme, sot realiteti është i ndryshëm dhe ju po e pohoni. Cilat janë konkretet projekte të përfunduara?

Erion Veliaj: Është e vërtetë. Në 6 vjetët e parë të pavarësisë së Kosovës kemi pasur një marrëdhënie të mirë. Sot kemi një marrëdhënie të shkëlqyer. Kjo është një diferencë. Unë gjykoj që kemi kaluar nga një marrëdhënie qokash mes të dy qeverive, në një marrëdhënie bashkëpunimi konkret dhe praktik mes të dyja qeverive. Mund të filloj duke folur për projektet e kësaj ministrie. Për herë të parë kemi një marrëdhënie midis Shërbimit Kombëtar të Punës të Shqipërisë dhe të Kosovës. Takova homologun Rashiq dhe nënshkruam marrëveshjen e unifikimit të sistemit tonë të punësimit. Kjo do të thotë që vendet nuk kanë më barriera, nuk kanë më doganë, nuk kanë më kufij kur vjen puna për çështje konkrete si lejet e punës. Kjo do të thotë që dikush mund të aplikojë për punë nga Mitrovica në Gjirokastër dhe të mos ndikohet aspak nga burokracia që kërkon leje qëndrimi dhe lejet e punës për shtetasit respektivë. Ne sot tashmë kemi një kalendar të përbashkët kulturor që tashmë ka filluar të vihet në veprim dhe që ministria e Kulturës po e drejton. Gjykoj që autostrada energjetike që quhet të jetë një mënyrë e mirë se si ne do të kompensojmë mungesat që ne kemi në verë apo mungesat që ata kanë në dimër, duke qenë se kemi cikle të ndryshme të prodhimit të energjisë, dikush me termocentrale, dikush me hidro. Po funksionojmë me gjëra logjike që janë që janë të dobishme për qytetarët dhe jo me butafori të tipit “passaporta për të tërë” në prag të zgjedhjeve dhe çudira të tilla, sepse ky patriotizmi folklorik në fund të ditës nuk prodhon asnjë të mirë materiale për mirëqenien e shtetasve tanë. Ndaj dhe gjykoj që qasja që kemi tani dhe nga mbledhja e fundit në Kukës, edhe pse nuk ishte mbledhje formale qeverie, u fol shumë për të reduktuar doganat në një të vetme. U fol shumë për të krijuar disa lehtësira kryesisht në sektorin ekonomik, për të evituar taksimin e dyfishtë, për të vënë në punë aeroportin e Kukësit. Ne kemi kaluar vite të tëra kur patatet e Shqipërisë apo qepët e Shqipërisë derdheshin në lumenj nga mungesa e tregut, ndërsa tani kemi një realitet të ri, kemi një treg konkret që sapo është dyfishuar. Dje, aty ku jeni ulur ju, ishte ulur Dhimo Kote, i cili pranon që nuk kanë kohë as ta çojnë në pikë grumbullimi, sepse kamionët e Kosovës janë në fermën e tij në Xarë të Sarandës për t’u mbushur me agrumet qe ai prodhon”.

Radio Kosova: Me Luginën e Preshevës, ku jeni përqendruar?

Erion Veliaj: Unë gjykoj që detyra e një qeverie shqiptare nuk mund të limitohet vetëm në kufijtë e Shqipërisë dhe kjo jo sepse ka një pasion nacionalist patetik, por se ka një dëshirë gjenuine për të përmbushur një detyrim kushtetues për të qenë qeveria e të gjithë shqiptarëve, përfshi edhe të atyre që janë në Luginën e Preshevës.
Pati shumë cinizëm rreth shumës që u akordua (100 mijë euro nga qeveritë e Shipërisë dhe të Kosovës. v.j.). Në fakt ishte shuma që u kërkua. Nëse do të ishte kërkuar më shumë, do të kishte edhe më shumë. Kështu, që mënyra se si kemi funksionuar pas atij projekti të parë, është ajo që quhet “përgjigje sipas nevojës”. Pra, në çdo mbledhjeje të qeverisë që me gjasë do të ndodhë dy herë në vit dhe mbledhjen tjetër e kemi në fund të majit ose në fund të qershorit në Vlorë, ne do të shohim se çfarë kërkesash ka të tjera nga komunat dhe nga autoritetet në Luginën e Preshevës dhe për të përmbushur kërkesën e radhës. Ka më shumë se sa thjesht nevoja financiare Lugina e Preshevës. Pra, që ka nevojë edhe të shkëmbehen artistët, të shkëmbehen të rinjtë dhe argumenti i fundit që kemi bërë është që ne kemi nevojë gjithashtu edhe për shkëmbim më të madh ekonomik. Njerëzit nuk mund të rrinë në një vend dhe të popullojnë një qytet vetëm për hir të dashurisë për atdheun. Sepse, në fund të ditës duhet të pagujnë faturat, të rrisin fëmijë, duhet të sigurojnë që kanë financa të mjaftueshme për një jetë dinjitoze. Disa gjëra i kemi filluar. Kemi filluar procesin e ndryshimit të legjislacionit që heq lejet e punës për të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës, për ta bërë mobilitetin ekonomik dhe mobilitetin e punës diçka më të thjeshtë. Unë gjykoj që duhet të synojmë për të rritur investimet dhe për të mbështetur ata që duan të investojnë në Luginën e Preshevës. Gjykoj që jemi në një fazë të re të marrëdhënieve në Ballkan. Kryeministri shqiptar (Edi Rama. v.j.) po përgatitet për udhëtimin e tij në Serbi. Do të jetë një vizitë historike e një kryeministri shqiptar kam përshtypjen që në mes të viteve ‘40. Kështu, që për këtë arsye gjykoj se fitojmë më shumë duke marrë pjesë dhe duke kërkuar në tryezën e vendimmarrjes më shumë për interesat tanë se sa duke e deleguar vendimmarrjen vetëm në autoritetet serbe dhe duke pritur lëmoshën për çështje fondesh, për çështje investimesh apo për politika zhvilluese. Parimi që është i vjetër sa jetë është që kur je në tavolinë, negocion më mirë fatin tënd se sa kur nuk je. Ky argument mjafton për të inkurajuar jo nënshtrim, por pjesëmarrje për të marrë maksimumin, por të vazhdojmë të punsojmë. Gjykojmë se do të jenë edhe disa pika të bisedës së kryeministrit Rama në vizitën e tij në Beograd, kauza e më shumë të drejtave dhe respektimit të atyre çështjeve sensitive për qytetarët e Preshevës.

Radio Kosova: Ju e përmendët dy herë vizitën e kryeministrin në Beograd. Do të thotë kjo që Ju prisni ndryshim të qëndrimit të Serbisë?

Erion Veliaj: Ndryshimi i qëndrimit nuk varet më shumë nga vendimet politike, por edhe nga realiteti që kemi sot në Ballkan. Sot realiteti i Kosovës është i pakthyeshëm. Sot realiteti i forcimit të faktorit shqiptar në Ballkan politikisht dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe me statusin e pritshëm “kandidat” është i pakthyeshëm. Fakti që kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, të Shqipërisë ishin bashkë në Londër për të folur në konferencën e BERZH-it për ekonominë, për zhvillimin e ekonomisë, për marrëdhënie tregtare dhe jo për luftë e për paqe, do të thotë që de facto ne jemi në një fazë të re. Unë gjykoj që është vetëm çështje kohe derisa Serbia të pranojë këtë realitet të ri. Me gjasë edhe Greqia, Rumania, Sllovakia me shenjat që kanë dhënë, janë gati të pranojnë këtë realitet të ri për njohjen e Kosovës. Gjykoj që nuk është çështja “a do të ndodhë”, por “kur do të ndodhë”. Dhe, besoj që për të afruat këtë kohë dhe për të hequr këto barriera le të themi paragjykimesh me njeri-tjetrin, ndaj e vlerësoj historike vizitën e kryeministrit.

Radio Kosova: Natyrisht, ju nuk jeni kryeministër dhe ndoshta duhet t’ia drejtoja pyetjen zotit Rama. Përsëri ishin serbët ata që ndezën katër luftëra në Ballkan. Pse duhet të besojmë tani?

Erion Veliaj: Sot jemi në rrethana të tjera. Fuqia jonë negociuese është më e madhe në Ballkan. Sot jemi një anëtar i NATO-s dhe kjo do të thotë që është bërë praktikisht e pamundur që Shqipëria të kërcënohet në territorin e saj. Jemi në një tavolinë me një superioritet moral dhe sigurisht edhe ushtarak në këtë situatë. Ndaj gjykoj që mbi këtë realitet të ri duhet të avancojmë këtë marrëdhënie.

Radio Kosova: Edhe një pyetje të fundit mbi vizitën e zotit Rama. Çfarë do të kërkoni?

Erion Veliaj: Kjo është diçka që po përgatitet nga agjenda e kryeministrit dhe nuk jemi ende gati për të publikuar detaje.

Etiketa: , ,
Të fundit