E enjte, 14 Qershor 2018
Tiranë – Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka bërë të ditur se do të takohet këtë të enjte me artistët e Teatrit.
Sipas vetë kreut të bashkisë, takimi zhvillohet sot, ku do të bisedojë për propozimin e teatrit të ri që pritet t’i japë qytetarëve një teatër dinjitoz.
“Një shans fantastik është takimi i sot. I kemi ftuar të gjitha palët, t’i dëgjojmë të gjithë dhe ata që kanë shqetësime dhe ata që janë pro dhe ata që kanë pyetje se ndoshta jo të gjithë i dinë detajet. Kështu që ne sot në orën 10: 30 do të kemi një konsultim publik Në Tiranë”, tha Veliaj.
Ai sqaroi edhe pozicionin e Bashkisë së Tiranës në këtë çështje, teksa theksoi se bashkia do ta zhvillojë këtë pronë sepse nuk mund të kemi një ferrishte në qendër të qytetit.
“Arsyeja pse bashkia është e përfshirë është sepse bashkia është një nga pronarët e tokës në tokën mbrapa teatrit. Do të thotë që bashkia me ose pa teatrin është në tagrin e vet ta zhvillojë. Unë jam ndoshta i vetmi kryetar bashkie i një kryeqyteti në rajonin tonë i cili mbas godinës së vet ka një ferrishte. Përpara kemi sheshin, një nga më të bukurit i cili po animohet, po ka jetë, po ka aktivitete, po ka koncerte. Tani e kemi bërë të gjithin të transformuar për kampionatin botëror të futbollit. Fusha sportive, hapësira për të kaluar kohën, madje edhe foto e famshme e Skënderbeut është rikthyer tani që është mbaruar edhe lulishtja mbrapa Skënderbeut. Ndërkohë që pas bashkisë ne kemi një ferrishte të madhe. Mbrapa teatrit gjithashtu magazinat e dekorit të Tiranës, një parking, ish-godina e vjetër e PD kështu që bashkia gjithsesi do ta zhvillojë këtë pronë sepse nuk mund të kemi një ferrishte në qendër të qytetit”, tha Veliaj në emisionin e mëngjesit të Bashkim Hoxhës, njofton TCH.
Etiketa: Artistët, erion veliaj, Teatri Kombëtar, Tiranë