Veprimet e policisë në veri janë të drejta dhe legjitime


E hënë, 29 Maj 2023

Editorial: Jetmir Maloku
Prizren Post – Kryeredaktor

Policia u ka mundësuar kryetarëve të rinj të komunave veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok që të hyjnë në objektet e zyrave komunale.

Ky veprim u bë me 26 maj dhe ende vazhdon të jetë në ekzekutim ky urdhër i Ministrisë së Brendshme, në dakordim me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj.

Kryetarët e rinj shqiptarë u asistuan nga Policia e Kosovës, pasi grupe të banorëve vendas në këto komuna të banuara me shumicë serbe, kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë.

Një ditë më herët (25 maj), disa prej tyre u betuan në shkolla e ndërtesa të tjera publike të këtyre komunave, për shkaqe sigurie.

Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën gurë në drejtim të policisë dhe dogjën disa makina.

Veprimet e autoriteteve të Kosovës në komunat në veri i ka dënuar Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që t’i ndalojë menjëherë “masat e dhunshme dhe të ripërqendrohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian”.

Reagimet vazhduan edhe nga korpusi diplomatik në Kosovë, duke harruar që javë më parë po të njejtit kishin përkrahur legjitimitetin e kryetarëve të qyteteve të veriut.

Përleshjet që shpërthyen midis protestuesve serbë dhe policisë bënë që Serbia të ngrejë gatishmërinë luftarake të ushtrisë së saj.

Protestues serbë u mblodhën të hënën para ndërtesave komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Misioni i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrojti dhe ende vazhdon t’i mbrojë veprimet e policisë, duke thënë se çdo opsion tjetër do të ishte “mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj”.

Në Zveçan u bllokua rruga që qon drejt ndërtesës së komunës, forcat paqeruajtëse të KFOR-it të pajisura për situata krize, kanë bllokuar po ashtu rrugën për në komunë.

Nga ana tjetër, grupe të rrebeluara serbësh u mblodhën para ndërtesës së komunës në Leposaviq për të kundërshtuar marrjen e pushtetit lokal nga kryetari i ri shqiptar, Lulzim Hetemi.

Ndërsa protestuesit në Zveçan filluan që ta sulmonin policinë me shkas që të hynin në ndërtesën e komunës, Policia u kundërpërgjigj me hedhje të gazit lotsjellës për të shpërndarë turmën, pasi që paraprakisht KFOR-i i lëshoi ata të tuboheshin para ndërtesës së komunës së Zveçanit.

Pas kësaj, përfaqësuesi i serbëve nga radhët e Listës Serbe, Goran Rakic, erdhi me kërkesën e serbëve që kryetari i ri i kësaj komune, Ilir Peci, të mos hyjë në objektin komunal. Ai, po ashtu, kërkoi nga KFOR-i që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet speciale nga kjo zonë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se detyrë e KFOR-it është “t’i pamundësojë aktet e njëanshme të Prishtinës”.

“Tani po i ruajnë kryetarët me pretekstin e ruajtjes së paqes. Duket se po i ruajnë nga pronarët e objekteve, serbët, nga ata që punojnë atje, që janë të punësuar atje. Nuk mund të jenë kryetarë në komunat serbe, ku serbët nuk i kanë zgjedhur”, tha Daçiq për Radio-Televizionin e Serbisë.

Komuniteti serb i bojkotoi zgjedhjet e 23 prillit, nga të cilat dolën kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Daçiq shtoi se forcat e armatosura të Serbisë janë në gjendje gatishmërie.

Autoritetet serbe kanë vendosur që forcat e tyre të armatosura të mbeten në nivelin më të lartë të gatishmërisë deri në një njoftim të radhës, për shkak të situatës në veri të Kosovës.

KFOR-i tha se, në përputhje me mandatin që ka, është i gatshëm “t’i ndërmarrë të gjitha masat për të ofruar një mjedis të sigurt, në një mënyrë neutrale dhe të paanshme”.

Ky mision konfirmoi se mëngjesin e 29 majit ka shtuar praninë në komunat në veri të Kosovës, pas rritjes së tensioneve.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se ka biseduar me kryetarët e Zubin Potokut dhe të Zveçanit për situatën aktuale në veri të Kosovës.

Duke folur për gazetarët, Hovenier tha se “është e rëndësishme që të shmangen situatat në të cilat zyrtarët publikë hyjnë në ndërtesat publike përmes përdorimit të forcës”.
Hovenier tha se ky është qëndrim i SHBA-së dhe i vendeve të tjera të Quint-it: Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Francës dhe Gjermanisë.

Hovenier tha se ka takuar më pas edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën tha se ka diskutuar për situatën në veri.

Në mesditë, Policia e Kosovës përdori sprej ndaj disa serbëve, të cilët tentuan të hynin me dhunë në ndërtesën komunale të Zveçanit.

Mos të harrojmë që Policia e Kosovës është duke vepruar në mënyrë profesionale dhe proporcionale që nga 26 maji kur asistoi kryetarët e rinj që të vendosen në objektet komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, u shpreh e shqetësuar nga situata në veri të Kosovës gjatë një konference për media në Prishtinë, ku tha se Qeveria e vendit “duket se po rrezikon shumë me këto manovra në veri”.

“Natyrisht, kryetarët e zgjedhur janë zgjedhur në mënyrë ligjore. Por, kjo nuk do të thotë se ata kanë legjitimitetin për të hyrë në këto objekte dhe të kenë qasje me forcë. Askush nuk mund të udhëheqë me një apo dy për qind të votave”, tha Von Cramon.

Nga ana tjetër Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se deri në orën 14:00 do të përfundojë dislokimi i plotë i njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë, në përputhje me urdhrin e presidentit Aleksandar Vuçiq për rritjen e gatishmërisë luftarake.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan. Paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.

“Ju po shkaktoni trazira. Po e rrezikoni veten dhe komunitetin tuaj. Largohuni nga zona dhe shkoni në shtëpi – në të kundërtën, KFOR-i do të detyrohet të ndërhyjë”, ishte audio-paralajmërimi i KFOR-it.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të fillojnë sa më parë me ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Këto komente Bislimi i ka bërë gjatë një takimi me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon.

Përmes një postimi në Twitter, Presidentja Osmani dënoi dhunën në veri, prej ku akuzoi presidentin e Serbisë Aleksandar Vuciq për destabilizimin e veriut të vendit. “Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiqit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë”.

Raportohet se gjatë përleshjes së serbëve, në mesin e tyre edhe shumë të maskuar e kriminelë, disa ushtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime të rënda…

Etiketa:
Të fundit