Vetëvendosja arrestimin e Dardan Molliqajt e quan politik


E premte, 1 Maj 2015

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje, arrestimit e sekretarit organizativ të saj, Dardan Molliqaj nga Policia po e konsideron veprim të bërë me qëllim nga Qeveria për të penguar organizimin e qytetarëve.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se partitë opozitare nesër do të dalin me qëndrimet ndaj mos plotësimit të kërkesave të dala nga protesta e 18 prillit. Kurse, arrestimi i Molliqajt, sipas tij është veprim i panikut që ka kapur pushtetin nga organizimi qytetarë.
Ndërsa, Policia e Kosovës thotë se Dardan Molliqaj është arrestuar për veprën pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Konjufca thotë se arrestimi i Molliqajt është urdhëruar nga pushteti, vetëm një ditë para mbajtjes së konferencës nga opozita për të shpalosur qëndrimet e mëtutjeshme pas mos plotësimit të kërkesave të protestës së 18 prillit.

Sipas tij, kjo është një fushatë e pushtetit ndaj figurave të Vetëvendosjes, duke u munduar që t’i frikësoi dhe amortizoi organizimin qytetarë. Por, Konjufca thotë se këto veprime të pushtetit nuk do t’i zmbrapsin për t’u organizuar.

Ndërsa, zyrtari për Informim në Policinë e Kosovës, Daut Hoxha tha për KosovaPress përmes telefonit se sot në mëngjes është arrestuar Dardan Molliqaj sipas procedurave ligjore, për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Dardan Molliqaj është arrestuar sot në mëngjes në Aeroportin e Prishtinës, “Adem Jashari”, derisa ishte duke udhëtuar për në Zvicër.

Etiketa: , , ,
Të fundit