Viktimat e protestës së 17 dhe 18 nëntorit


E enjte, 19 Nëntor 2015

trazira

Prishtinë – Ngjarjet e 17 dhe 18 nëntorit nuk prekën vetëm protestuesit dhe Policinë e Kosovës që po e menaxhonte protestën dhe ndërtesën e Kuvendit. Nga gurët dhe ngjyra pësuan edhe ata që nuk ishin të përfshirë në protestë. Protestuesit e revoltuar nuk kursyen as policinë e trafikut, që nuk ishte në plan operativ të menaxhimit të protestës, as veturat zyrtare që thjesht po qëndronin të parkuara në oborret e institucioneve, e nuk mbetën pa u lënduar as kalimtarët e rastit.


Këtë dhunë të ushtruar kudo në kryeqytet, shoqëria civile e cilëson si të papranueshme. Përgjegjës për pasojat e këtyre veprimeve, i mbajnë organizatorët e këtyre manifestimeve.
Pesë policë që nuk ishin pjesë e protestave pësuan lëndime nga protestuesit, veç pse ishin zyrtarë policorë. Pati edhe nga ata që u gjuajtën me ngjyrë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani konfirmon se nga 24 policë sa kanë kërkuar ndihmë mjekësore, të martën dhe të mërkurën, pesë ose gjashtë nga ta nuk kanë qenë të përfshirë në protestë.
Dhe, nga protesta mbetën të lënduar dy qytetarë, kalimtarë rasti.

“Nga këta 24 policë të cilët kanë pësuar lëndime në dy protestat, 5-6 policë janë lënduar nga protestuesit e dhunshëm, të cilë t nuk kanë qenë pjesë e detyrës policore në protestë, por kanë qenë në riorientim të trafikut dhe njëri prej tyre ka qenë në rroba civile dhe nuk ka qenë i kyçur fare në menaxhim të protestës”, thotë ai.
Kelani tregon se nga këta policë të lënduar, dy prej tyre kanë marrë lëndime mjaftë të rënda në kokë, pasi që janë gjuajtur me mjete të rënda.

“Dy nga këta 5-6 policë që nuk kanë qenë të kyçur në plan operativ në menaxhim të protestës, kanë pësuar lëndime të ndryshme, por dy nga ta kanë pësuar lëndime të rënda në kokë, nga hedhja e mjeteve të forta në drejtim të policëve. 4 nga ta kanë qenë në rregullim dhe ri-orientim të trafikut, përgjatë edhe një vizite që e kemi pas të mbretit, por një nga ta ka qenë në rroba civile dhe nuk ka qenë fare i kyçur në protestë, por vetë m që është identifikuar si zyrtar policor protestuesit e kanë sulmuar”, thotë ai.

Të dëmtuara mbetën edhe pajisje të ndryshme të PK-së. Sipas Kelanit, janë 25 vetura zyrtare dhe dhjetëra vetura civile të dëmtuara.
Dëme kanë marrë edhe objekti i Qeverisë, shtatorja e ish-Presidentit Rugova, dhe disa objekte të tjera të cilat janë duke u hetuar.

Për krejt këto, Betim Musliu i Institutit Kosovar të Drejtësisë (IKD) thotë se janë të papranueshme dhe se përgjegjësinë duhet ta mbajnë ata që i prijnë protestave.
Sipas tij, protestat nuk po mbahen paqësore, por në tërësi ,të dhunshme.
“Nuk mund të arsyetohen në asnjë formë aktet e dhunshme dhe përgjegjësinë për secilin akt të dhunshëm duhet ta marrin individët të cilët janë duke i kryer këto akte të dhunshme. Natyrisht ata që i organi zojnë këto protesta dhe që i prijnë atyre, dihet se çfarë përgjegjësie kanë me ligj, pra ata duhet të mbahen përgjegjës. Por përgjegjës individualë që jemi duke e parë që po shprehet dhunshëm ndaj qytetarëve të ndryshëm dhe ndaj institucioneve, duhet ta mbajnë vet këta individë të cilët po bëhen përgjegjës duke kryer vepra penale”, thotë ai.
Ai i dënon sulmet ndaj policëve.

“Absolutisht është e pashpjegueshme mënyra sesi veprohet nga ana e protestuesve të dhunshëm ndaj institucioneve shtetërore, ndaj organeve të rendit, ndaj policisë. Asnjë polic nuk ka faj që është duke ushtruar detyrën e tij dhe ai është i obliguar të zbatojë urdhrat që i vijnë nga eprorët e vet. Në këtë rast policët janë totalisht të pafajshëm”, thotë ai.
Dhunën e ka dënuar edhe Këshilli për Lirinë , Mbrojtjen dhe të Drejtat e Njeriut.
“KMDLNj kërkon hetim për të gjithë ata protestues që ushtruan dhunë, që bënin thirrje për dhunë, që e dëmtuan pronën private dhe publike dhe në përputhje me rezultatet e hetimeve të ndërmerren masa ligjore”, thuhet në reagimin e KLMDNJ-së.

Dhunën që protestuesit e ushtruan mbi ata që nuk kishin lidhje me protestën, zyrtarë të Vetëvendosjes e patën arsyetuar se “protestuesit ishin të mllefosur”.
Kaosi i fundit në kryeqytet nisi më 17 nëntor, pasi Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte thirrur seance plenare. Aktivistët e partive opozitarë dolën në përkrahje të liderëve të tyre, që brenda Kuvendit po provonin të pamundësonin mbajtjen e seancës, ku edhe hodhën përsëri gaz lotsjellës.
Një ditë më vonë, Policia pasi posedoi fletë-arrest për katër deputetë opozitarë arriti ta arrestojë vetëm deputeten e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi. Ku në fund të ditës Gjykata Themelore ia caktoi masën e paraburgimit për 30 ditë, gjë që i revoltoi edhe më shumë aktivistët në qendër.

Ata vazhduan të thyejnë çfarë kishin përpara, duke përsëritur se kriza do të thellohet, nëse deputetët nuk mbeten në liri.
Ata shkatërruan edhe pjesë të pronave publike, të cilat duhet të rindërtohen me buxhetin e Kosovës, për të cilën opozita aq shpesh e ka përsëritur se po zhvatet nga pushteti.

Të fundit