E mërkurë, 9 Dhjetor 2015
Prishtinë – Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri u ka dal në mbrojtje Boiken Abazit, Arbër Zaimit dhe Dejona Mihalit, pas publikimit të lajmit se ata qëndrojnë ilegalisht në Kosovë dhe se pritet depërtimi i tyre.
Në një postim të tij në rrjetin Facebook, ai ka bërë krahasime mes veprime të Serbisë në Kosovë dhe qeverisjes aktuale të Isa Mustafës.
Sipas tij, tre të lartpërmendurit nuk po shkaktojnë trazira.
Ja postimi i tij i plotë:
Na kujtohet shumë mirë koha kur Serbia pretendonte se të gjithë shqiptarët në Kosovë janë të ardhur nga Shqipëria. Kështu Serbia legjitimonte projektin e ardhshëm gjenocidal ndaj shqiptarëve për të bërë Kosovën të Serbisë.
Ky regjimi i sotëm policor qëndrimin e ka më të butë: ata po thonë që shqiptarët që ‘po shkaktojnë trazira’, dhe se problemet për Republikën vijnë nga Republika e Shqipërisë. Kështu deklaroi Isa Mustafa, kështu deklaroi këshilltari i tij lojal Bajram Gecaj, e të tjerët si këta. Dhe menjëherë, siç e do rregulli me këtë lloj pushteti, filloi me punën propaganda shpifëse mediatike që e kërkon ‘deportimin!’ e këtyre problemsjellësve nga Republika e Shqipërisë.
Peticioni i qytetarëve, protestat nëpër rrugë e sheshe, e deputetëve në Kuvend, e aktivistëve në aksionin politik janë kundër ‘Zajednicës’ së Serbisë. Kosovës kërcënimet, e shqiptarëve në Kosovë i kanë ardhur nga Serbia e jo nga Shqipëria. Kjo ka qenë e vërtetë atëherë, para luftës së dytë botërore, pas saj, gjatë Rankoviqit, gjatë viteve 60, 70, 80, e 90, para luftës së UÇK-së, gjatë saj, e është e vërtetë edhe sot. Edhe sot Republika e Kosovës kërcënohet e rrezikohet nga ‘Zajednica’ e Serbisë.
Është e papranueshme, dhe neveritëse, kjo propagandë e pushtetit që nxit urrejtjen ndaj shqiptarëve nga Tirana, Shkodra, Elbasani, Durrësi e Vlora. Kjo mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit përveç antikombëtare, është provinciale e përjashtuese.
Republika e Kosovës jetësohet me deportimin e ‘Zajednicës’. Ky është problemi që duhet shporrur, i cili jo vetëm që po e trazon, por po kërcënon ta rrënojë Republikën duke ia gërryer dheun nën këmbë.
Shqiptarët do të bashkëjetojnë e do të bashkëpunojnë përkundër vullnetit të Mustafës me shokë që ta pengojnë këtë. Në Republikën pa ‘Zajednicë’ dhe për Republikën pa ‘Zajednicë’.
Etiketa: Kosovë, Vetëvendosje, Visar Ymeri