Viti 2014, si dështuam në aspektin ekonomik?


E diel, 4 Janar 2015

Prishtinë – Viti 2014 konsiderohet si i dështuar në aspektin ekonomik, nga ekspertë të kësaj fushe

Vit për vit po përsëriten brengat e njëjta, që sipas ekspertëve tregon se kritikat e tyre nuk po merren parasysh. Në vitin e vështirë ekonomik padyshim ka ndikuar edhe kriza institucionale. Se çfarë ishte ky vit në aspektin ekonomik.

Viti 2014 për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu ka qenë shumë i dështuar. Fakti i vakuumit institucional për më shumë se gjashtë muaj, paraqet një dëshmi se ekonomia është lënë anash dhe mu nga ky anashkalim është margjinalizuar rëndësia e proceseve ekonomike, në veçanti e sektorit privat, thotë ai.

“Vitin 2014 e kemi mbyllë në këtë formë, por brenga tona janë se pasojat do të barten edhe në vitin 2015… prandaj është obligim moral i institucioneve tona që të bëjnë miratimin e buxhetit, edhe pse ai nuk është zhvillimor por shpenzues dhe të përmirësohet ambienti biznesor në veçanti sa i përket investimeve të huaja. Prandaj është koha që më shumë të veprohet se sa të flitet dhe dua të besoj se ma në fund është kuptua se vetëm përmes ekonomisë mund të arrihet një stabilitet social, vetëm përmes ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik mund të arrihet përshpejtimi i proceseve integruese dhe vetëm përmes proceseve ekonomike vërtet mund të arrihet një mirëqenie sociale e cila Kosovën do ta promovojë, do ta kthejë reputacionin, besimin tek qytetarët dhe përmes ekonomisë mund të vije ardhmëria.”

Gërxhaliu potencon sundimin e dobët të ligjit, gjë që është konstatuar edhe nga raportet e ndryshme ndërkombëtare.

“Për momentin në Kosovë pika më e dobët është sundimi i rendit dhe i ligjit, atëherë mu në këtë fushë duhet të jemi bashkërisht të orientuar që sundimi i rendit dhe i ligjit të jetë ajo platformë e shëndoshë ose emëruesi i përbashkët i avancimit të proceseve ekonomike në Kosovë.”

Por kritikat e ngjashme po përsëriten vit për vit. E pyetëm z. Gërxhliu pse po ndodhë kjo?

“Është më se e vërtetë, e keni vërejt me profesionizmin gazetaresk që thuajse nga viti në vit e kemi të njëtën përsëritje e cila përsëritje shtohet në aspektin kuantitativ, por në substancë nuk ndryshon… e gjithë kjo është se për ekonomi duhet të bëhen reforma por reforma kryesore duhet të jetë depolitizimi i proceseve ekonomike dhe mbi të gjitha për ekonomi të flasin ekspertë dhe ekspertiza shkencore dhe jo meritokratë, d.m.th. militantë të partive të ndryshme sepse në këtë mënyrë jemi duke e dëmtuar ardhmërinë e gjeneratave të reja.”

Neglizhimi i rekomandimeve të ekspertëve sipas Gërxhaliut ka sjellë edhe deri te, siç tha eksodi i të rinjve drejt vendeve tjera:

“Nuk duhet të na habit fakti i eksodit muajve të fundit ose e migrimit nga Kosova. E gjithë kjo është një pasojë e neglizhimit të rekomandimeve qoftë të mia personale qoftë të Odës Ekonomike, që vetëm përmes zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale mund të krijohet garancion për të qëndruar në Kosovë, ka has në vesh të shurdhër dhe po e shihni se paguhet çmimi… dhe jo vetëm që kanë has në vesh të shurdhër por janë shndërruar në atakime personale ose direkt qoftë ndaj meje qoftë ndaj institucionit të cilin e udhëheqë, por besoj se me kalimin e kohës gjërat duhet të kuptohen dhe prioritet i prioriteteve duhet të jetë vetëm zhvillimi ekonomik për ardhmërinë e Kosovës.”

Se ky vit ka qenë i vështirë në aspektin ekonomik, njëjtë sikur Gërxhaliu mendon edhe drejtori i Institutit Riinvest, Alban Zogaj:

“Viti 2014 ka qenë një vit relativisht i vështirë në aspektin ekonomik… së pari kemi pas një rritje të ultë ekonomike e cila konsiderohet se ka qenë 2-3% e cila rritje nuk mjafton për të përmirësuar situatën ose deficitet ekonomike në Kosovë, e kam parasysh kryesisht nivelin e lartë të papunësisë. Me këto rritje ekonomike ne nuk mund të zvogëlojmë nivelet e larta të papunësisë të cilat konsiderohen të jenë rreth 35-40%.”

Gjatë vitit financiar 2014 ka pasur stagnim në aspektet e konsumit të përgjithshëm apo edhe rënien e tij, meqenëse rënia në konsum ka efekte negative në Bruto Produktin e Përgjithshëm vendorë.

“Por çka është edhe më e rëndësishme me u theksua është se kemi pasa rënie të investimeve private, kjo lë pasoja edhe në ta ardhmen përveç rënies së investimeve private lokale kemi pas rënie edhe të investimeve të jashtme direkte dhe kjo sipas meje është një prej problemeve më të mëdha të ekonomisë kosovare sepse ne e dimë se pa investime nuk do të ketë vende të reja të punës, nuk do të ketë rritje të ekonomisë.”

Sa i përket shpenzimeve qeveritare apo investimeve publike ato kanë pasur një rritje të vogël, pra që kanë quar deri te kjo rritje e vogël ekonomike 2-3% por që nuk mund të japin efekte pozitive në punësim.

“Rritja ekonomike edhe rritjes e BPV-së është një çështje komplekse, nuk është një çështje e një sektori të vetëm por kërkon koordinim të shumë sektorëve edhe aspekteve qeveritare. Por për të pasur një rritje ekonomike shpejt si po kërkojnë qytetarët apo edhe për të pasur një rritje ekonomike të lartë që i afrohet 10%-shit ne kemi nevojë për rritje të investimeve, kjo është çështja kyçe. Kush mund ti rris investimet, janë investitorët privatë ata që investojnë por për të ardhur deri tek rritja e investimeve institucionet tona duhet të përmirësojnë mjedisin biznesor…. normalisht pastaj me nivelin e investimeve lidhen edhe normat e interesit të cilat ne vazhdimisht i deklarojmë e i analizojmë.”

Sa më të larta të jenë normat e interesit aq më të ulëta do të jenë investimet në vend, thotë udhëheqësi i Institutit Riinvest Alban Zogaj. Por, a do të thotë se nuk ka shpresë, pasi që normat e interesit përcaktohen nga vet bankat private:

“Një prej elementeve është norma e interesit, por ka elemente tjera shumë të rëndësishme, p.sh një prej tyre është gjyqësori… aktualisht një prej problemeve të mëdha të biznesit edhe lokal edhe investitorëve të jashtëm është konkurrenca jo-fer si rezultat i një gjyqësori joefikas, pastaj kualiteti i punëtorëve, i profesionalizimit të punëtorëve.”

Zogaj thotë se mos-efikasiteti në gjyqësor po ndikon edhe në arsyetimin e bankave për mos-ulje të interesave të larta. Për sa i përket tregut, Zogaj thotë se është ithtar i tregut të lirë:

“Unë jam ithtarë i funksionimit të tregut të lirë, ku qeveria ka sa më pak ndikim në ekonomi, ku e lë sektorin privat të lulëzojë, ku qeveria do të luante rolin e një zbatuesi të rregullave ku të gjitha palët në ekonomi janë të barabarta dhe pastaj ai që është më konkurrent, më efikas vazhdon tej funksionimin në ekonomi.”

Por si të zhvillohet ekonomia vendore në këtë mënyrë, kur prodhuesit vendorë si fillestarë kanë konkurrencë të hapur nga prodhuesit më nam rajonal e botëror. Një ekonomi e tillë e lirë me gjasë do të ishte problematike edhe për shtetet që sot janë të zhvilluara ekonomikisht, në fillet e zhvillimit të tyre, duke e marrë parasysh se në ato kohëra kanë përdorur masa mbrojtëse për prodhuesit e tyre?

“E qartë, keni të drejtë dhe këto janë disa prej argumenteve të shumta që i dëgjojmë ne, jo vetëm në Kosovë por argumente edhe në vende tjera që insistojnë në mbrojtjen e prodhuesit vendorë apo investitorit lokalë. Mbrojtja e investitorit lokal mund të bëhet përmes barrierave qoftë tarifore qoftë jo-tarifore. Aktualisht ne si shtet nuk mund të bëjmë një gjë të tillë, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të ndryshon politika apo rrethanat. Sa mund të bëhet kjo? Të them të drejtën konsiderojë se do të ketë vështirësi duke e pasur parasysh edhe ndikimin e faktorit ndërkombëtare, e ata janë ithtarë të tregut të hapur për arsye se tregu i hapur në afatgjatë e rrit konkurrueshmërinë edhe të investitorëve lokalë apo të prodhuesve lokalë atëherë kam përshtypjen se do të jetë i vështirë implementimi i një politike të tillë.“

Megjithatë drejtori i Riinvest Alban Zogaj pohon se këto politika në afatgjatë do të kenë efektin e vet, por në afat-shkurtë po shihet se prodhuesi vendor po ka vështirë të konkurrojë me një prodhues i cili është në treg me qindra vite, qoftë i rajonit apo më gjerë, i cili ka krijuar kualitet, ekonomizim të shkallës, prandaj prodhojnë më lirë, kanë efikasitet më të lartë dhe janë më konkurrent./RTK/

Të fundit