Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Viti shkollor me tekste maqedonase fyese për shqiptarët

Prizren Post | 18:07 - 08.06.2013

Nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të mesme në Maqedoni të hënën përmbyllin edhe një vit shkollor, me tekste me përmbajtje skandaloze dhe fyese kundër shqiptarëve.

Edhe pse Ministria e Arsimit në Shkup dy vjet më parë formoi një komision për korrigjimin e librave të historisë, deri tani nuk është bërë asnjë përpjekje serioze në këtë drejtim.

“Ministria e Arsimit për t’i ikur përgjegjësisve, për t’i ndryshuar tekstet dhe për t’i ndryshuar programet mësimore, ka shpallur një moratorium që këto tekste të mos pësojnë ndryshime. Respektivisht, të mos eliminohen ato mangësi, fyerje dhe të pavërteta historike. Jo rastësisht në shërbim të kësaj u formuan edhe komisionet që të mos zgjidhet ky problem shumë i rëndësishëm për kahjen e mëtejshme të shtetit të Maqedonisë”, deklaron Skënder Hasani, kryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni.

Hasani thotë gjithashtu se nxënësit edhe në vitet e ardhshme do të mësojnë nga tekstet fyese, gjë që sipas tij do të ndikojë në përkeqësimin e mëtejshëm të raporeteve të brishta ndëretnike në vend.

“Do të thotë që më së paku edhe dy vite do të punohet me këto tekste mësimore, që për fat të keq, përveç se përkeqësojnë raportet ndëretnike, ndërtojnë gjenerata jo të shëndosha”, nënvizon Hasani.

Përveç përmbajtjes skandaloze, Shoqata e Historianëve Shqiptare ka reaguar edhe për aspektin metodologjik të këtyre teksteve shkollore, që nuk është adekuat për nxënësit e fillores që të mësojnë me to.


Arivisti Company