Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Vizita në Kosovë e shefit të diplomacisë amerikane nuk e zgjidh bllokadën

Prizren Post | 09:09 - 26.11.2015

Prishtine – Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së tij zyrtare më 2 dhjetor të këtij viti në Kosovë nuk do të diskutojë me zyrtarët vendorë për zgjidhjen e bllokadës politike në Kuvend.

Këtë e kanë konfirmuar të mërkurën për gazetën “Zëri” zyrtarë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, duke bërë të ditur se vizita e sekretarit Kerry është dëshmi e miqësisë së fortë mes SHBA-së dhe Kosovës.

Ata nuk kanë mundur të japin as detaje të takimeve të sekretarit Kerry në vend.
“Orari i vizitës së sekretarit Kerry nuk është finalizuar ende, prandaj ne nuk mund të flasim për takime të veçanta që mund të mbahen gjatë vizitës së tij në Kosovë. Vizita nuk është e lidhur në asnjë mënyrë me situatën aktuale politike, por është dëshmi e miqësisë së fortë mes SHBA-së dhe Kosovës, si dhe përkushtimit të fuqishëm të SHBA-së ndaj Kosovës”, ka deklaruar për “Zërin” zëdhënësja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Michelle Schohn.

Departamenti i Shtetit amerikan ka konfirmuar të martën se John Kerry më 2 dhjetor do ta vizitojë Kosovën. Kerry do të vizitojë disa vende evropiane dhe ballkanike, duke përfshirë këtu Francën, Belgjikën, Kosovën, Serbinë, Qipron dhe Greqinë./Zëri/


Etiketa:
Arivisti Company