E mërkurë, 1 Shkurt 2023
Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro.
Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë më 1 shkurt.
Ai tha se kjo vlerë e koeficientit do të ndryshojë në vitin 2024, dhe do të jetë 110 euro.
Sipas Kurtit, çdo vit në bazë të mundësive buxhetore, ky koeficient do të lëvizë.
Ligji i ri i pagave në Kosovë do të hyjë në fuqi më 4 shkurt të këtij viti.
Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit. Raporti i koeficienteve është nga një deri në 18.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se paga mesatare bruto do të jetë 730 euro, që sipas tij do të rritet për rreth 100 euro.
Sipas Ligjit për buxhetin e vitit 2023, i miratuar po ashtu në dhjetor të vitit të kaluar, buxheti i përgjithshëm për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro.
Koeficientët
Sipas Ligjit të pagave në sektorin publik, koeficientin më të lartë e ka pozita e presidenit – 18 – që i bie që paga e presidentit është 1.890 euro.
Pas presidentit, renditet kryetari i Gjykatës Kushtetuese, me koeficient 17.5.
Koeficienti i kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit është 17, ndërsa e deputetit dhe ministrit është 16.4.
Koeficientin 15 e ka komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa 14.5 e kanë drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe ai i Doganës.
Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës e ka koeficientin 14.
Me koeficient të njejtë është edhe drejtori i SHSKUK-së, ndërsa mjeku specist e ka koeficientin 12, mjeku në specializim 8, mjeku i përgjithshem, stomatologu dhe farmacist e kanë koeficientin 7.4.
Ndërsa infermierët, varësisht nga niveli, e kanë koeficientin prej 5.1 deri në 5.6.
Mësimdhënësi në shkollë të mesme të lartë e ka koeficientin 5.8 që i bie që paga është 609 euro . Ndërsa mësimdhënësi në shkollë fillore dhe të mesme të ulët e ka koeficientin 5.6 që i bie 588 euro.
Ligji, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, nuk e ka përfshirë vlerën e koeficientit, e cila përcakton një tavan deri ku mund të paguhet një punonjës i shtetit. Ai u përcaktua sot nga Qeveria e Kosovës./REL
Etiketa: Aktuale, Kosovë, Ligji i Pagave, Pagat