Von der Leyen flet me Netanyahun: Zgjidhje e negociuar për krizën Izrael-Iran


E hënë, 16 Qershor 2025



Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se një “zgjidhje e negociuar” është e domosdoshme për krizën mes Izraelit dhe Iranit, duke shmangur thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm.

Në një konferencë për shtyp, ajo tregoi detaje nga një bisedë telefonike që pati të dielën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

“Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore, pa asnjë dyshim,” tha von der Leyen. “Mendoj se një zgjidhje e negociuar është, në planin afatgjatë, mënyra më e mirë.”

Ajo theksoi gjithashtu se kishte rikonfirmuar përkushtimin e Bashkimit Europian ndaj paqes, stabilitetit dhe përpjekjeve diplomatike për të çtensionuar situatën, ndërsa ka nënvizuar se “Izraeli ka të drejtën të mbrohet”.

Në një postim në rrjetin X, von der Leyen tha: “Irani është burimi kryesor i destabilitetit rajonal. Europa ka qenë gjithmonë e qartë: Irani nuk mund të pajiset kurrë me armë bërthamore. Ka një nevojë urgjente për një zgjidhje të negociuar.”

Ajo shtoi se BE ka shprehur vazhdimisht shqetësim të madh për programet bërthamore dhe të raketave balistike të Iranit – raketa të cilat “godasin në mënyrë të verbër jo vetëm qytete në Izrael, por edhe në Ukrainë.” /mesazhi







Të fundit