E diel, 28 Dhjetor 2014
Dresen, Gjermani – Prof. Dr. Hans Vorlaender, pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin Teknik në Dresen ka deklaruar se grupi “Evropianët Patriotikë Kundër Islamizimit” (PEGIDA) dëmton imazhin e Gjermanisë.
Vorlaender, në një deklaratë për gazetarin e AA ka pohuar se politikanët duhet të përballen qartë, të jenë të qëndrueshëm dhe të ftohtë ndaj protestave të PEGIDA-s. Vorlaender, ka theksuar se demokracia nuk mund të cenohet nga disa persona që dalin në rrugë e flasin gjëra pa mend, por kjo duhet të bazohet në një demokraci të qëndrueshme. Ai shton më tej se: “Politikanët me vendosmëri duhet të luftojnë kundër ksenofobisë dhe kundër urrejtjes së të huajve dhe gjithashtu duhet të shprehen qartë kundër këtij fenomeni të pamëshirshëm kundër të huajve dhe azilkërkuesve”.
Vorlaender mendon se PEGIDA nuk është një rrezik, sepse sipas tij demokracia gjermane është e qëndrueshme, por sigurisht dëmton reputacionin e gjermanëve.
Ndërsa pyetjes “A ishte e pritshme që protestat do të rriteshin kaq shumë, Vorlaender iu përgjigj se: “Sigurisht që ishte e pamendueshme. Me të vërtetë kjo ishte një surprizë dhe të gjitha deklaratat e bëra këtu mbeten të paqarta”. Vorlaender për rritjen e numrit të njerëzve pjesëmarrës në protesta shprehet se arsyeja kryesore është për shkak të organizimit dinak të organizatorëve që kanë bashkuar grupe të ndryshme.
Ai shprehet gjithashtu se: “Mes atyre që organizojnë këto protesta ka disa persona që kanë lidhje me disa grupe huliganë dhe në kontakt me neo-nazistë ose persona të cilët janë vetë neo-nazistë.
Protestuesit në përgjithësi janë me moshë të vjetër
Vorlaender, duke treguar se pjesëmarrësit në protesta në përgjithësi janë persona me moshë të vjetër tha se: “Në protesta ka shumë burra të vjetër në moshë, 90% e tyre janë meshkuj ndërsa 10% janë femra. Po të heqim huliganët dhe neo-nazistët raporti i të rinjve në krahasim me atë të moshuarve është shumë i ulët”.
Pika e përbashkët, paragjykimi ndaj të huajve
Ndërsa pyetjes se numri i të huajve dhe myslimanëve që jetojnë në qytetin Dresden është shumë i pakët dhe cila është arsyeja që protestat zhvillohen në këtë qytet ai iu përgjigj se: Aty ku nuk ka të huaj, ka armiqësi ndaj të huajve (ksenofobi) dhe aty ku nuk ka hebrenj, ka armiqësi ndaj hebrenjve. Këto dalin nga paragjykimet e caktuara dhe nga frika. Pika e përbashkët e këtyre është paragjykimi ndaj të huajve dhe frika e të ashtuquajturës për ndryshimin e tyre.
Numri i pjesëmarrësve në protestat e PEGIDA
Vorlaender, shprehet se rritja e numrit pjesëmarrës në këto protesta i ka habitur të gjithë. Ai shton më tej se në muajt janar dhe shkurt ky numër mund të jetë përsëri rreth 15-20 mijë persona dhe se është e pritshme që ky numër të jetë po kaq i madh.
Vorlaender, gjithashtu u shpreh se në protestën e fundit ka marrë pjesë për të krijuar një përshtypje dhe shpjegon se ka biseduar me disa protestues, të cilët i kanë thënë atij se nuk janë pjesë e ndonjë partie.