Vota e Arifit, VV pret Kushtetuesen, Qeveria në ethe


E martë, 3 Nëntor 2020

PRISHTINË – Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim lidhur me kushtetutshmërinë e themelimit të Qeverisë Hoti. Megjithëse Lëvizja Vetëvendosje ka deponuar në qershor kontestimin e votës të deputetit tashmë të arrestuar, Etem Arifi në themelimin e Qeverisë Hoti, Kushtetuesja po e konsideron shtatorin afatin prej kur fillon periudha 60 ditore për shqyrtim të lëndës.

Pavarësisht kësaj, partia e Albin Kurtit shprehet e bindur se aktgjykimi do të jetë në favor të tyre. Madje thonë se pas një interpretimi ku Qeveria Hoti shpallet e paligjshme, më nuk ka nevojë për tentativë të dytë, kësisoj, sipas tyre zgjedhjet do të jenë rrugëdalja e vetmja. Ndërkaq, qeveritarët do ta pranojnë çfarëdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

E sipas njohësve të Kushtetutës në rast që aprovohet ankesa e Vetëvendosjes, Qeveria Hoti do të shpallet e pavlefshme dhe duhet të fillojë formimi i qeverisë nga e para. Në këtë rast do të jetë në diskrecionin e presidentit të fillojë procedurat, për t’ia dhënë mandatin cilësdo parti, apo koalicion që i konfirmon se i kanë 61 vota në Kuvendin e Kosovës.

Drejtori i zyrës për komunikim dhe informim në Gjykatën Kushtetuese, Veton Dula në një përgjigje për KosovaPress thotë se në muajin shtator është kompletuar dosja e lëndës dhe përkitazi me këtë janë brenda afateve kohore për shqyrtim të lëndës.

“Përkitazi me kërkesën e dorëzuar nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me rastin e deputetit Etem Arifi, Gjykata ka afat 60 ditor për shqyrtimin e lëndës, që fillon pas dorëzimit të të gjitha dokumenteve të nevojshme për shqyrtim kushtetues. Gjykata ka pasur komunikim të vazhdueshëm me institucionet dhe palët e përfshira në këtë rast edhe gjatë muajit shtator, me qëllim të kompletimit të dosjes së lëndës. Sipas praktikës së deritanishme, sapo Gjykata të marrë vendimin, për këtë do të njoftohen me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, thotë ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi thotë për KosovaPress se nëse bazohet se në aspektin procedural Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese duhet të shkohet direkt në zgjedhje të reja.

“Nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson drejtë dhe bënë interpretimin e dispozitave në mënyrë objektive dhe të pavarur, atëherë ne besojmë se ajo shumë shpejt do të nxjerr akt-gjykimin ku Qeverinë Hoti do të shpall, ashtu siç e kemi thënë ne vazhdimisht, si qeveri e paligjshme, e zgjedhur në mënyrë jo procedurale. Kjo për shkak të faktit se në seancën e votimit të kësaj qeverie ka marrë pjesë deputeti që tashmë ka pasur të humbur mandatin. Kjo mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës është e rregulluar shumë qartë. Nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson paligjshmërinë e votës ne mendojmë se zgjidhja më e mirë do të ishte zgjedhjet. Ky Kuvend tashmë nuk ka qenë i aftë të mbajë dy qeveri, rrjedhimisht dalja e vetme nga kjo situatë për hir të një stabiliteti do të ishin zgjedhjet. Ne besojmë se pas një interpretimi ku Qeveria Hoti shpallet e paligjshme më nuk ka interpretim për tentativë të dytë”, thotë Abrashi.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë Hoti, Besnik Tahiri thotë për KosovaPress se pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje janë politikë ditore, por përkundër kësaj çfarëdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese do të respektojnë.

Etiketa: , , , , ,
Të fundit