E martë, 19 Nëntor 2019
PRIZREN – “Vrapuesja e Prizrenit” (“The Runner of Prizren”), me një këmbë nga Prizreni deri në Muzeun e Londrës (në vitin 1876). Nikoqirët u përkujdesën për dukjen e saj, dhe aktualisht zë vend në mesin e artefakteve me vlerë..!
Dyshohet se “Vrapuesën e Prizrenit” (“The Runner of Prizren”), në Muzeun Britanik të Londrës e kishte dorëzuar arkeologu britanik, Ser Arthur Evans, njëri ndër arkeologët më të mëdhenj europianë, që kishte bërë eksplorime arkeologjike në Ballkan, pra edhe në Shqipëri në vitet 80-90-ta të shek. XIX. Eksplorimet e tij në Shqipëri, përveç njohjes arkeologjike, padyshim se kanë pasur edhe karakter politik në kohën e vlimeve të mëdha në Shqipëri, para dhe pas Lidhjes së Prizrenit. Është për të vënë re se figurina në fjalë me rastin e regjistrimit kishte hyrë në adminsitratën e Muzeut Britanik të Londrës (me numër të regjistrimit 1876,0510.1), si artefakt i zbuluar në Prizren të Shqipërisë (it was found at Prizren in Albania). Kemi njoftime të sakta se, deri në vitin 1899, figurinës së Prizrenit, siç e quanin dokumentet administrative të Muzeut Britanik të Londrës i mungonte pjesa e këmbës së majtë nën gju. Restaurimi i saj është bërë me siguri para vitit 1929, vit ky kur këtë figurinë e shohim të restauruar aq mirë saqë mund ta vërejnë vetëm ekspertët e rrallë, si dhe ata që kanë njohuri nga dokumentacioni.
Vlerat e saja janë të nduarnduarshme.
Së pari, kemi të bëjmë me një artefakt të periudhës së Halshtatit (Hekurit) të Vonshëm (fundi i shek. VI dhe fillimet e shek. V p/Kr.), e cila përfshihet në të ashtuquajturin Halshtati D, periudhë kjo e cila në aspektin arkeologjik në trevën e Dardanisë nuk është hulumtuar sa duhet dhe si e tillë kjo periudhë, ndryshe prej periudhave të tjera edhe sot e gjithë ditën ka dhënë rezultate të mangëta, qofshin ato arkeologjike, antropologjike ose historike. Kjo periudhë, së bashku me periudhën e Halshtatit C (mesi i shek. VI p/Kr.), sipas ndonjë studiuesi, veç figurinës për të cilën jemi duke bërë fjalë, në trevën e Dardanisë ka nxjerrë në dritë edhe Menadën e Tetovës, si dhe dorëzën e pasqyrës nga treva e Kosovës së sotme, gjetje këto të cilat provojnë për marrëdhëniet e afërta të Greqisë dhe Ilirisë përgjatë shekujve VI-V p/Kr.
Së dyti, kemi të bëjmë me një figurinë të nivelit të lartë artistik dhe estetik, që ia ka tërhequr vëmendjen pothuajse të gjithë studiuesve të njohur të arteve figurative, si dhe studiuesve të trashëgimisë arkeologjike, shpirtërore dhe të fushave të përafërta, të cilët kanë mendim dhe vlerësim pothuajse të njëjtë. Pra, sipas tyre figurina vrapon djathtas me trupin e kthyer perpara duke shikuar poshtë në të djathtë, dhe duke e mbajtur fustanin e saj lartë në dorë, ajo ka të veshur xhubletë me palosje duke i rënë nga krahu i djathtë, i kufizuar nga të dy anët, dhe flokët e saj shkallëzohen paralelisht nga pas. Pjesët e tjera të xhubletës mungojnë. Gjithashtu ta tërheqin vëmendjën sytë e saj shumë të mëdhenj. Figurina zotëron lëvizje dhe gjallëri në përshtatje me vallen që po luan. Të gjitha këto tipare të figurinës e bëjnë, që ajo të dallohet dukshëm nga shumë figurina të tjera të kohës, por edhe nga Menada dardane e Tetovës. Ndryshe nga Menada e Tetovës që ka një lartësi prej 9.4 cm dhe gjerësi prej këmbës së majtë në të djathtën prej 6.5 cm., Vrapuesja e Prizrenit kap një lartësi prej 11.4 cm. Edhe pse nuk zotërojmë artefakte të tjera të këtij lloji, që do të na mundësonte për të përdorur metodën komparative lidhur me datimin e Vrapuesës së Prizrenit dhe Menadës së Tetovës, megjithatë, afërsia e gjetjeve dhe territori i përbashkët i tyre, që është Dardania, na bën të konstatojmë se, për shkaqe të plasticitetit dhe të proporcioneve më të bukura, sidomos të bie në sy këmba e djathtë, e cila vetëm me gishta prek tokën. Gjithashtu, të bie në sy kujdesi dhe simetria e flokëve te figurina e Prizrenit, ndryshe nga Menada e Tetovës, që flokët i ka fare të parregulluara. Veçoritë e përmendura bëjnë të konstatohet me lehtësi se, “Vrapuesja e Prizrenit” është së paku për gjysmë shekulli më e re se Menada e Tetovës, e cila më tepër i gjason Vrapuesës së Dodonës, edhe pse ndonjë studiues të dyja këto figurina i ngatërron me Vrapuesën e Prizrenit.
Edhe pse deri më sot nuk është kontestuar nga studiues seriozë origjina e vend zbulimit të figurinës për të cilën jemi duke bërë fjalë, e që është treva e Prizrenit, prapëseprapë, një pjesë e studiuesve te “Vrapuesja e Prizrenit” gjejnë analogji me stilin Peleponezian të origjinës nga Sparta, sidomos duke u mbështetur në veshjen e vajzës, që konkurron për Olimpiadë, veshje kjo e përshkruar saktësisht sipas veprës Hellados Periegesis (lat. Graecae descriptio) të Pausanias-it (rreth 110 – rreth 180), një gjeograf dhe udhëpërshkrues grek. Në këtë kontekst, burimet historike provojnë për importin e artikujve të luksit si një fenomen i përgjithshëm në periudhën e Hallstatit D, dhe shpjegon lulëzimin e aristokracisë fisnore, fenomen ky i njohur atëbotë dendur dhe te dardanët dhe në Dardani.
Nga Prof. Dr. Jahja Drançolli për Albanian Values | alva.al
Etiketa: Jahja Drançolli, The British Museum, Vrapuesja e Prizrenit