Vrasja e 15 vjeçarit, një muaj paraburgim për dy të miturit në Prizren


E shtunë, 23 Janar 2021

PRIZREN – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të miturve: L.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe L.L. dhe H.G.,për shkak të veprës penale pjesëmarrja në rrahje.

Sipas një njoftimit për media, gjyqtarja e procedurës, Kymete Kicaj, kërkesën e prokurorisë së shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve i ‘u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj, ashtu që kjo masë të miturve do ti llogaritet prej datës 22.01.2021deri me datën 21.02.2021.

Siç thuhet në njoftim, gjyqtarja e procedurës për të mitur, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se të miturit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, dhe kjo rrjedh nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të miturve L.L. dhe H.G, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, pasi që procedura përgatitore në këtë çështje sapo ka filluar, dhe në vazhdim do të merren në pyetje të miturit, dhe në rrjedhën e mëtejshme do të mblidhen edhe prova të tjera për të zbardhjen e kësaj çështje penale. Po ashtu për Gjykatën qëndrojnë bazat ligjore për caktim të paraburgimit, duke marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, posedim i mjeteve të rrezikshme, për më tepër të miturit pas pjesëmarrjes në rrahje, në rrjetet sociale kanë vazhduar me kërcënime dhe provokimin e mëtejme të situatës edhe ashtu të rënduar duke postuar fotografi”, thuhet në njoftim.

Etiketa: , ,