Vritet me thikë 40-vjeçari, arrestohet autori


E diel, 21 Shkurt 2016

Tiranë – Një 40-vjeçar ka mbetur i vdekur pasi është goditur me thikë pas një konflikti për motive të dobëta. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së premtes në një lokal në rrugën “Shemsie Haka” në zonën e Shkozës në Tiranë.

Viktima është Arens Liço, 40 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra. Sipas burimeve policore mësohet se autor i kësaj ngjarjeje është Ergest Zhupani, 28 vjeç, i cili ka plagosur me thikë 40-vjeçarin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Disa orë më vonë 28-vjeçari është vënë në pranga nga Policia e Tiranës. Mësohet se autori në gjendje të dehur është konfliktuar me viktimën dhe më pas ka plagosur me thikë në kraharor Arens Liçon. Ky i fundit është dërguar në spital për të marrë ndihmën e parë, por nuk ka mundur ti shpëtojë plagëve të marra.

“Arrestimi i tij u bë sepse më datë 19.02.2016, në orën 22.00, në rrugën “Shemsie Haka”, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prehës në kraharor, shtetasin A.Liço, 39 vjeç banues në Tiranë, i cili ka ndërruar jetë në spital, si pasojë e plagës së marrë”, thuhej në njoftimin e policisë. Mësohet se gjithçka ka nisur për motive të dobëta, ku viktima dhe autori ndodheshin në një lokal të thjeshtë pranë banesës së viktimës ku fillimisht kanë shkëmbyer fjalë me njëri-tjetrin dhe më pas autori Ergest Zhupani në gjendje të dehur ka goditur me thikë shokun e tij, 40-vjeçarin Liço.

Të afërmit e viktimës si dhe banorë të zonës thanë për gazetën “Shekulli” se ata njiheshin pasi edhe banonin në të njëjtën lagje, por mes tyre nuk ka pasur konflikte të mëparshme. Sipas tyre, viktima njihej si person i qetë, ndërkohë që Ergest Zhupani, autor i kësaj ngjarjeje, siç pohojnë vetë banorët, ishte person problematik i cili konsumonte alkool dhe thuajse çdo ditë ishte në gjendje të dehur dhe kanë qenë të shpeshta konfliktet me banorët e lagjes në lokalet që frekuentonte./shekulli/

Etiketa:
Të fundit