E hënë, 30 Shtator 2013
Ministri pa portofol, i angazhuar për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, është takuar në Beograd me kandidatët serbë për kryetarë komunash në pjesën veriore të Kosovës në prag të fillimit të fushatës zgjedhore.
Ai kandidatët nga lista e Iniciativës Qytetare Serbe, në prag të kësaj fushate, që nis pas katër ditësh, i ka inkurajuar që të marrin pjesë në to, duke u bërë thirrje edhe sa më shumë qytetarëve serbë të Kosovës, sepse “në këtë mënyrë Serbia mbetet në Kosovë”, siç është shprehur ai.
Sipas njoftimeve në mediat e Beogradit Vulin ka biseduar me kandidatët për kryetarë komunash: Branimir Stojanovic, Ivan Regjic, Dragan Nikolic, Sreqko Spasic, Svetisllav Jovanovic, Gradimir Mikic, Krstimir Pantic, Dragan Jablanovic, Stevan Vulovic dhe Dragan Nedelkovic, transmeton “Koha”.
Po sipas këtyre burimeve, në mbledhje ishin edhe prefektët e rretheve, të organizuara sipas rregullave të Beogradit, Radenko Nedelkovic, Vladeta Kostic, Vinka Radosavlevic, Jovica Buduric dhe Srgjan Mitrovic.