E hënë, 18 Prill 2016
Prishtinë – Lëvizja “Vetëvendosje” ka kërkuar prej AAK-së dhe Nismës të sqarojnë “flirtin” me partitë në pushtet, si parakusht për të vazhduar bashkëpunimin e mëtejshëm opozitar, i cili do të manifestohej edhe me protesta.
VV-ja ka lënë të nënkuptohet se nuk do të marrë pjesë as në protestën e thirrur nga AAK-ja për 14 maj, përderisa nuk sqarohen pozicionet, shkruan sot Koha Ditore.
Derisa partia e Haradinajt e ka akuzuar VV-në se po gjen “arsyetime kundër protestës”, në subjektin tjetër opozitar, Nisma për Kosovën, kanë mohuar bashkëpunimin me pushtetin.
Para se të diskutohet pjesëmarrja në protestën e paralajmëruar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Këshilli i Përgjithshëm i “Vetëvendosjes” ka kërkuar sqarimin e pozicioneve brenda kampit opozitar.
Për “flirtimet” e përmendura nga VV-ja në AAK e kanë akuzuar VV-në, derisa Nisma ka mohuar një gjë të tillë.
Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se AAK e ka sqaruar qëndrimin dhe se ajo do të protestojë më 14 maj kundër qeverisë dhe drejtuesve të saj.
Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën ka mohuar akuzat e VV-së.
Etiketa: AAK, Kosovë, NISMA, Vetëvendosje