E mërkurë, 26 Gusht 2015
Lëvizja Vetëvendosje e konsideron marrëveshjen e fundit mes Kosovës dhe Serbisë për Asociacionin e Komunave si legalizim të ndarjes së Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të VV -së, Glauk Konjufca, gjatë një konference për media, tha se Kosova ka qenë e ndarë që prej vitit 1999.
“Veriu i vendit asnjëherë nuk është kontrolluar nga institucionet tona”, ka thënë Konjufca.
“Në Kosovë do të ketë dy Kuvende. Ai i Kosovës dhe ai i Zajednicës. Te Zajednices do ta kontrollojë Beogradin, ndërsa, tjetrin mazhoranca e shantazhuar nga ndërkombëtarët”, ka shtuar ai.
Sipas Konjufces, krijimi i ASK-së po çon drejt bosnjëzimit të Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Edhe Kryetari i VV-së, Visar Ymeri, tha se krijimi i ASK-së do të thotë se Kryeministri i Kosovës ka hequr dorë nga pavarësia e vendit dhe nga zhvillimi i vendit.
“Një Kryeministër që heqë dorë nga këto dy shtylla atëherë ai nuk mund të jetë Kryeministër i këtij vendi”, ka thënë ai.
Shefi i VV-së ka kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit pas kësaj marrëveshje.
“Kjo është tradhti ndaj shtetit dhe Kosovës”, tha Ymeri .