E mërkurë, 22 Prill 2020
PRISHTINË – Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka mbajtur takim takim konsultativ me liderët e subjekteve politike parlamentare. Kjo pasi i shkroi letër për të pestën kreut të LVV-së, në të cilën theksoi se Kurti nuk e shfrytëzoi të drejtën për formimin e Qeverisë së re.
Gjatë adresimit të tij, presidenti Thaçi ka deklaruar se është e drejtë dhe detyrë e presidentit që të kërkojë formimin e qeverisë.
“Është përgjegjësi e imja që ta ruaj stabilitetin e vendit, dhe për këtë do të marrë hapa sipas Kushtetues së Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Thaçi, ka bërë të ditur se pasi të gjitha partitë, pos Vetëvendosjes, janë shprehur pro formimit të Qeverisë së re pa shkuar në zgjedhje, do t’ia japë mandatin atyre që mund të formojnë shumicën parlamentare.
“Të ndodhur në këtë situatë pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë më 25 mars, sot ju përfaqësues të gjitha partive parlamentare ju ftoj që të konfirmoni se a është në vullnet të partive që udhëhiqni të formohet një qeveri e re apo të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme”, tha Thaçi.
Përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se takimi i sotëm është jokushtetues, transmeton Telegrafi.
“Me këtë urgjencë ne do të duhej të luftonim kundër pandemisë COVID-19, por siç duket për këtë nuk jeni të interesuar prandaj nuk ishit i pranishëm president, kur kryeministri Kurti ftoi të gjithë për të parë mundësitë e bashkëpunimit dhe për të luftuar pandeminë COVID-19. Jeni bërë bashkë për të dalë kundër LVV-së. Kam parë me shqetësim qëndrimin tuaj, ky takim sot në këtë format është në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ky format sot është jokushtetues. Ju bëjmë ftesë të respektoni Kushtetutën dhe ta kryeni vetëm detyrën tuaj si president”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka thënë se presidenti duhet ta respektojë Kushtetutën dhe të mos thërras më takime të tilla.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se nuk është koha që të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Në këto momente nuk duhet të shkojmë në zgjedhje. Duhet të bëjmë përpjekje të formojmë një qeveri e cila mund të qeverisë vendin në mënyrë normale”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka shtuar se Kuvendit i nevojitet qeveri që mund të punoj me kapacitete të plota dhe mandat të plotë të Kuvendit.
Kreu i PDK, Kadri Veseli ka thënë se është krijuar situatë e pazakontë për shkak të shkarkimit të qeverisë.
Ai ka hedhur akuza ndaj LDK dhe LVV për të cilët ka thënë se kanë qenë në bashkëqeverisje dhe gjatë kohës së qeverisjes kanë shkelur disa herë kushtetutën.
“Të gjitha masat që i kanë marrë qeveria, kanë shkelje kushtetuese, ka shkelje ligjore që po bëhen çdo ditë që nga ndarja e parave. Emërimet dhe shkarkimet janë të paligjshme. Po ashtu e ka dëmtuar rëndë Kosovën, pasi e ka vënë në pozitë jo të mirë Kosovën në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Veseli e ka akuzuar qeverinë në detyrë edhe për “acarimin e raporteve me SHBA-në”.
Po ashtu, ai ka përmendur edhe situatën në veri.
“Por, aspekti më i rëndë është krijimi i situatës në veri”, ka thënë ai, duke e akuzuar Qeverinë në detyrë për jotransparencë.
“Vendimin e Vuçiqit, e legjitimon Qeveria në detyrë dhe e bën vendim të vet. Po ashtu njëmijë testet, kanë vënë Kosovën në pozitë jo të mirë”, ka theksuar ai.
Më tej tha se PDK do të jetë opozitë. Nuk do të pranojë ftesa as nga këta që shkojnë as nga ata që vijnë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se përkrahë formimin e Qeverisë, transmeton Telegrafi.
Haradinaj ka thënë AAK nuk është për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, por për votimin e një qeverie të re.
“S’jemi për shpërbërje të Parlamentit në këtë situatë. Nuk do ta votojmë shpërbërjen e Parlamentit dhe shkuarjen në zgjedhje, për faktin se pasi që s’kemi qeveri dhe është krizë. Sikur ta shpërbëjshim edhe Parlamentit do ta linim vendin edhe pa një institucion mjaft të rëndësishëm, por që një institucion legjitim që ka dalë nga zgjedhjet më të mira që kemi mbajtur në vitet e fundit. Janë zgjedhje që janë pranu nga të gjithë dhe janë lavdu nga të gjithë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka theksuar se Kuvendi i Kosovës ka legjitimet të plotë për të mandatuar një qeveri të re, e cila do të merrej ndër shumë gjërat të tjera, edhe me menaxhimin e pandemisë.
“Ky parlament është legjitim. E ka obligim me ia kthy vendit Qeverisë pas shkarkimit që e ka bërë. Duhet t’ia kthejë vendit një qeveri me mandat të plotë, që do të merrej edhe me pasojat e pandemisë. Përkrahim themelimin e një qeverie të re”, ka theksuar ai.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se përkrahin formimin e Qeverisë së re.
“Ne si parti jemi të gatshëm të participojmë në gjetjen e mundësive për të krijuar një shumicë të re, e cila do të merrte përgjegjësin për të drejtuar vendin në këtë situatë”, tha Limaj.
Përfaqësuesi i AKR-së, Fatmir Matoshi ka deklaruar se AKR është kundër shkuarjes në zgjedhje.
Ai ka thënë se AKR i vlerëson si legjitime të dyja opsionet edhe shkuarjen në zgjedhje por edhe formimin e Qeverisë së re.
“Por për shkak të kushteve dhe rrethanave që ndodhet vendi ynë, AKR mbështet opsionin që të shikohet mundësia për themelimin e një qeverie të re me mandat të plotë”, tha Matoshi.
Përfaqësuesi i Listës Serbe, Goran Rakiq ka thënë se kjo parti nuk është që të shpërbëhet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje.
Rakiq ka thënë se në situatën në të cilën ndodhemi shkaku i pandemisë ne nuk jemi për zgjedhje.
“Sa i përket qëndrimit të Listës Serbe nuk jemi për zgjedhje në kohën e pandemisë, duhet të qëndrojmë së bashku. Po e përsëris, nuk jemi për zgjedhje të reja”, ka thënë Rakiq.
Etiketa: Aktuale, Hashim Thaçi, Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Presidenti, Qeveria e Re, Zgjedhjet