E enjte, 14 Maj 2015
Prizren – Prej monumenteve të lashta dhe mahnitëse Osmane është edhe Xhamia e Gazi Mehmet Pashës. Kjo xhami jo vetëm në Prizren, por edhe në Kosovë e Ballkan njihet ndër xhamitë më të bukura. Xhamia e Gazi Mehmed Pashait, e cila njihet edhe si xhamia e Bajraklisë numërohet njëra prej më të mëdhave, kurse për shkak të pozitës së saj njihet edhe si njëra ndër objektet më me vlerë.[1]
Ndërtues i kësaj xhamie ka qenë Gazi Mehmet Pasha, i cili në historinë Osmane njihet si komandant ushtarak. Ka marrë pjesë në shumë luftëra, pas luftës së Mohaçës në vitin 1526, bëhet sanxhakbej i Smederevës dhe Pozhegës. Pas zgjerimit të Perandorisë Osmane, matanë Savës dhe Danubit, Mehmet Pasha rimëkëmbës dhe beglerbej i Budapestit zgjeroi pushtetin edhe në dymbëdhjetë sanxhaqe të Hungarisë. Përveç se ka qenë i guximshëm ishte i njohur edhe për ngritjen e xhamive, medreseve, hamameve dhe objekteve të tjera. Janë të njohura edhe ndërtimet e tij në Prizren, ku ka ndërtuar një xhami, medresenë dhe hamamin.[2]
Gazi Mehmet Pasha ndërtoi në Prizren njërën ndër xhamitë më të bukura të kohës. Xhamia e tij si më madhështorja që ishte, u privilegjua që gjatë festave shtetërore dhe gjatë muajit të Ramazanit në te të valonte flamuri. Për këtë qëllim, në pjesën më të lartë të minares, është vendosur një shufër metalike dhe në të një litar që lëshohej deri në vendin ku myezini thërriste ezanin, nëpërmjet të cilit është ngritur gjegjësisht është ulur flamuri. Pikërisht për këtë nga populli u quajt Xhamia e FlamuritBajrakut (në popull xhamia e Bajraklisë)[3].
Kjo xhami gjendet në anën e djathtë të Lumëbardhit, është njëra ndër më të mëdhatë dhe ka një hapësirë të konsiderueshme. Dallohet nga xhamitë tjera ngase gjendet në një kompleks të bukur oriental.[4]
Oborri është i shtruar me kalldrëm dhe në hapësirën e tij gjendet Medreseja e Mehmet Pashës, në afërsi të medresesë ai ka ndërtuar edhe tyrben për ta varrosur në të, mirëpo, si duket është vrarë në ndonjë betejë dhe nuk është i varrosur aty[5], gjithashtu, në oborr gjenden varreza, në anën perëndimore të oborrit të xhamisë janë të vendosura tetë çezme, e pak më tutje banjat, ndërkaq, para hyrjes kryesore, në anën e djathtë dhe të majtë gjenden dy gurë të musallas.
Si ndërtesë ka themelin katërkëndësh dhe disa pjesë të ndërtuara prej mermeri. Mbi derën hyrëse (portikun) gjendet epitafi i mermertë me dimensione 40×40 cm., është i shkruar me shkrim thuluth me ngjyrë të kuqe nga poeti Ali Mehmet Tahir efendiu nga Bursa.[6]
Edhe njëherë Gazi Mehmet Pasha
dhuroi-ndërtoi një xhami të shenjtë
Nuk e bëri këtë për lavdërim
veçse për hir të Zotit
Kjo xhami në qytetin e Prizrenit
e bëri këtë qytet vendparajsë
Shejh Ali ka kënduar në vargje fillimin e xhamisë
Zoti e ripërtëriu Qabenë e fukarave.[7]
Viti – ( Sene) 981
Nga mbishkrimi konstatohet se Gazi Mehmet Pasha xhaminë e ka ndërtuar në vitin 981/1573.[8] Hyrja përbrenda xhamisë është mahnitëse për secilin vizitor, ngase ka vizatime dekoruese dhe kolorit në gjithë hapësirën e saj.
Duke hyrë brenda në xhami është e ndërtuar edhe pjesa e fundit për vendfalje e cila është e ndarë me dritare ku është e rrethuar me hekur dhe kjo pjesë ka edhe mihrabin. Mihrabi i xhamisë është prej mermeri [9] . Specifikë e kësaj xhamie është se në të ekzistojnë pesë vende të imamit (mimbere), një në brendi, dy në çardakë dhe dy në korridore. Këto elemente nuk i kanë xhamitë e tjera në Prizrenin e lashtë dhe as në hapësirën më të gjerë.[10]
Në anën e brendshme të kupolës janë të vendosur një numër i qypeve të zbrazët, roli i të cilëve është që të kondensojnë lagështinë e ajrit e që mos të dëmtohet suvatimi dhe ornamentet nën kupolë. Avulli i kondensuar në qypa, pikon në formë të ujit. Xhaminë e karakterizon edhe një akustikë e jashtëzakonshme.
Në çdo mur janë të vendosura nga dy dritare lart dhe poshtë, po ashtu në qoftë se ia shtojmë edhe nga një dritare gjysmëharkore, atëherë xhamia ka 27 dritare. Minarja është me gjatësi 40m, mbulesa e minares është e ndërtuar prej llamarine zinku.[11]
Xhamia është restauruar në vitin 199394 janë investuar punime me vlera të mëdha, kështu që në enterier, plasaritjet vertikale në kupolën kryesore (11.00×0,15 x 0.03m), u bë rikonstruksioni i pikturave murale, i fragmenteve të arabeskave në kupolë e mbi dritare, u bë rillaqosja e minares, meremetimi i shtresës së plumbit në minare e kupolë, llamarina në pullaz është lyer me ngjyra e kemikalie mbrojtëse dhe është ngjyros e gjithë hapësira brenda dhe jashtë xhamisë. Me rastin e investimeve të fundit në xhami është instaluar edhe një luster elektrik dimensionesh të mëdha (2x3m) dhe katër më të vegjël [12] .
Investimet për restaurimin e xhamisë janë bërë nga Këshilli i Bashkësisë Islame dhe ndihmat e popullit si dhe me punë vullnetare, pas restaurimit kjo xhami edhe pse ka pësuar ndryshime, megjithatë nuk e ka humbur origjinalitetin e saj burimor. Xhamia zë një sipërfaqe prej 1.907m² (vetëm xhamia 771m² ndërsa oborri 1.136m²) [13] .
Në fund të përshkrimit të kësaj xhamie monumentale, do të theksoja se pikërisht në këtë xhami është mbajtur edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e të cilën, fatkeqësisht, historianët tanë nuk e thonë troç, jo për tjetër por vetëm sa për hir të së vërtetës.
Autor: Mirije Xhezairi
(Edukata Islame, nr. 81.)
1. Raif Virmìça: “Kosova’da osmanli mìmarì eserlerì”, fq. 35.
2. Maliq Osi: “Prizreni qytet i lashtë, muze me thesar të pasur kulturor”, fq. 82.
3. Ibid, fq. 93.
4. Maliq Osi: “Prizreni qytet i lashtë, muze me thesar të pasur kulturorë”, fq. 86.
5. Grup autorësh: “Kosova dikur e sot”, fq. 47071.
6. Raif Virmiça: “Kosova’da osmanli mìmarì eserlerì”, fq. 35.
7. Po aty, fq. 40.
8. Lidhur me datën e ndërtimit të xhamisë hasim disa versione: disa thonë se xhamia është ndërtuar në vitin 1549 e në disa burime të tjera hasim vitin 1561, ndërkaq në mbishkrimin përmbi deren e xhamisë tregohet viti 981 sipas hixhretit, që korrespondon me vitin 1573-74. Unë kujtoj se kjo është më e sakt.
9. Raif Virmça: “Kosova’da osmanli mìmarì eserlerì”, fq. 37.
10. Muhamed Shukriu: “Prizreni i lashtë…”, fq. 269.
11. Raif Virmìça: “Kosova’da Osmanli mìmarì eserlerì”, fq. 38.
12. Muhamd Shukriu: “Prizreni i lashtë”, fq. 258.
13. Raif Virmìça: “Kosova’da Osmanli mìmarì eserlerì”, fq. 37.
Etiketa: Gazi Mehmet Pasha, Prizren, Xhamia e Bajraklisë