Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Xhamia Koxha Mehmet Bej, e përmalluar për thirrjen e ezanit

Prizren Post | 13:14 - 01.11.2016

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Kumanovë – Vazhdon të presë për rindërtim xhamia Koxha Mehmet Bej në fshatin Tabanoc të Kumanovës në veri të Maqedonisë, e cila prej një shekulli qëndron e mbyllur për adhurim.

Xhamia e ndërtuar në afërsi të kufirit me Serbinë në vitin 1380, gjatë periudhës osmane, llogaritet si njëra nga xhamitë më të vjetra në Ballkan.

Ndërsa sipas historianit Michel Kill, kjo xhami është ndërtuar me kube në shekullin e 16-të nga ana e Mehmed Pashës nga Kaçaniku.
Minarja e xhamisë e cila është në gjendje të shkatërruar në afërsi të rrugës në mes të arave, është pjesërisht e rrënuar, ndërkohë që përreth xhamisë toka është gërmuar dhe janë hedhur mbeturina. Xhamia e braktisur pret “zgjatjen e dorës” për thirrjen e sërishme të ezanit.

Edhe pse xhamia njëkatëshe me pamje të arkitekturës arabe ka arritur ta ruajë formën e kupolës, brenda xhamisë ka gropa të mëdha për të cilat thuhet se janë bërë për qëllime kërkimore. Nuk ekziston asnjë rrugë që shpie deri te xhamia, kurse sipërfaqja përreth saj përdoret për kultivim nga bujqit.

Në anën e derës së hyrjes së oborrit të xhamisë Koxha Mehmet Bej e cila aktualisht është zënë nga parcelat, gjenden kolona në formë themeli pjesë të të cilave janë nxjerrë nga nëntoka.

Madje, thuhet se këto themele dhe gurë të mëdhenj të cilët janë nxjerrë pas hulumtimeve të kohëve të fundit në xhami i përkasin shatërvanit i cili një kohë ishte gjendur aty dhe se ka patur një hamam dhe një han.

Jovanoviç Milan, banor i Tabanocit, në deklaratën për gazetarin e Anadolu Agency tha se afërsisht para një muaji në fshat ka ardhur një ekip hulumtues nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë. Ky ekip ka kërkuar persona që do t’u ndihmojnë në hulumtimin që do të bëhet në lidhje me xhaminë.

Duke theksuar se personalisht ka marrë pjesë në mesin e fshatarëve që kanë punuar për afërsisht 20 ditë në pastrimin e hapësirës që i përket xhamisë, Jovanoviç tha se “Punimet janë bërë për marrjen e xhamisë nën mbrojtje ose për rindërtimin e saj”.

“Hulumtuan forcën e strukturës së xhamisë dhe nëse themelet kanë pësuar plasaritje apo jo. Morën mostra nga materiali ndërtimor dhe bënë punime për caktimit e vitit të ndërtimit”, tha Jovanoviç, për të shtuar më tej se deri më sot nuk ka patur asnjë iniciativë për rindërtimin e saj.

Ndërkaq, Aleksandar Vidanoviç, banor tjetër nga Tabanoci i cili ka marrë pjesë në punimet për brendësinë dhe pjesën përreth xhamisë, deklaroi se “Arsyeja e hulumtimit të arkitekturës së xhamisë nga ekipi që erdhi nga Ministria e Kulturës është rindërtimi i xhamisë”.

Ai potencoi se hulumtimi është zhvilluar për të mësuar se kur është ndërtuar xhamia dhe kush ka qenë këtu në atë periudhë. “Dihet se xhamia është ndërtuar në shekullin XV në kohën e Koxha Mehmet Beut emrin e të cilin edhe e bart. Megjithatë, ende nuk kemi marrë përgjigje të qartë në lidhje me këtë çështje”, tha Vidanoviç.

Në fshatin Tabanoc ku ndodhet xhamia Koxha Mehmet Bej ende janë të pranishme gjurmët e haneve (bujtinave) nga periudha osmane.


Bëni një koment