Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Yee: Roli i Amerikes ne Ballkan eshte i pazevendesueshem [video]

Astrit Shehu | 23:29 - 18.05.2017

Prishtine – Zëvendës ndihmës sekretari amerikan, Hoyt Brian Yee, është intervistuar nga gazetarja Jeta Xharra për emisionin “Jeta në Kosovë”.

Në intervistë ai u pyet se çfarë qeverie e Kosovës është e pranueshme për Amerikën pas zgjedhjeve të 11 qershorit dhe se a do të lejohet sikur në Maqedoni edhe në Kosovë formimi i qeverisë nga shumica parlamentare.

Diplomati amerikan tregoi arsyet pse Kosova hyn në listën e shteteve që konsiderohen nga SHBA-ja me rrezik të lartë për kultivimin e terrorizmit edhe pse nga Kosova ka dy vjet që asnjë person nuk ka shkuar në luftërat në Siri e Irak për t’iu bashkuar organizatave terroriste të atjeshme.

Yee tha se vendimi për ta futur Kosovën në këtë listë është politik.

Zyrtari i ShBA-së foli edhe për mënyrën e daljes nga kriza politike në Shqipëri e Maqedoni dhe rritjen e ndikimit rus në Ballkan.

Yee, siç raporton Zëri i Amerikës, gjatë një seance dëgjimore në Kongresin amerikan ku u diskutua mbi gjendjen në Ballkan, rolin e Shteteve të Bashkuara dhe përfshirjen e Rusisë, ka thënë se “asgjë nuk mund ta zëvendësojë rolin udhëheqës aktiv të SHBA-ve në Ballkan”.

“Rusia po punon gjithnjë e më shumë për të minuar progresin në Ballkan. Nga përpjekja e hapur për të minuar qeverinë në Podgoricë, e deri tek mbështetja më e mbuluar për retorikën separatiste në Bosnje dhe kundërshtimet ndaj integrimit të Kosovës në familjen e kombeve, Rusia kërkon të pengojë avancimin drejt anëtarësimit në NATO dhe BE kudo që të jetë e mundur. Moska përdor propagandën dhe lajmet e rreme për të mbjellë mosbesim dhe konfuzion dhe për të minuar pozitat e udhëheqësve politikë properëndimorë”, ka thënë ai. “Nëse SHBA-të i kthejnë shpinën Ballkanit Perëndimor, atëherë këto vende do të kërkojnë alternativa të tjera, do t’i hedhin sytë tek Rusia ose tek Kina, apo tek fuqi të tjera që u sigurojnë atyre alternativa, ndaj Perëndimit”!


Etiketa:
Arivisti Company