E shtunë, 2 Qershor 2018
Edicioni i pestë i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” përfundon sonte me ekspozitën “Midis Ëndrrave dhe Realitetit” nga Eliza Hoxha në “Dorćol Platz” në Beograd.
Organizata e të rinjve “Youth Initiative for Human Rights” thotë se ekspozita ka tërhequr vëmendjen e publikut para se të shfaqet para qytetarëve të Beogradit, sepse tre fotografi nga kjo ekspozitë u konfiskuan nga Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë.
Ky akt i pashembullt i censurës, sipas YIHR, është i fundit nga një seri përpjekjesh për të penguar komunikimin dhe krijimin e lidhjeve të reja midis të rinjve dhe te rejave të Kosovës dhe Serbisë.
“Sidoqoftë, kërcënimet dhe gjuha e urrejtjes dhe dhunës që pasuan para dhe gjatë festivalit nuk e kanë zbehur mesazhin kryesor të festivalit. Përkundrazi, u konfirmua edhe më shumë nevoja për evente të tilla në Beograd. Shkëmbimi i të rinjve dhe të rejave, njohja me njëri/a-tjetrin/ën dhe tejkalimi i hendekut mes dy shoqërive janë mënyra e vetme për të pasur një të ardhme pa konflikte, dhunë dhe luftëra”, thotë kjo organizatë.
Sipas YIHR, bashkëpunimi midis dy shoqërive ndikohet negativisht edhe nga lajmet e shpeshta për sulme të paverifikuara ndaj anëtarëve të komunitetit serb dhe pronat e tyre në Kosovë, si dhe deklaratat nxitëse nga përfaqësuesit e të dy qeverive për këto raste. “Në vend që të jenë të përkushtuar ndaj qetësimit të tensioneve, udhëheqësit politik, si shumë herë më parë, vazhdojnë të përdorin tragjedi personale të qytetarëve për të forcuar pozicionet e tyre nacionaliste politike”.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe Kosovë do të vazhdojë të punojë në afrimin e dy shoqërive, duke u bazuar në mirëkuptim dhe besim reciprok, përkundër thirrjeve për ndalimin e punës së organizatës sonë, kërcënimeve, presioneve dhe sulmeve të tjera.
“Normalizimi i marrëdhënieve në Bruksel përmes marrëveshjeve të nënshkruara nuk mund të zëvendësojë thelbin e asaj që është e nevojshme për paqe dhe prosperitet – krijimi i marrëdhënieve të reja mes njerëzve”, përfundon kjo organizatë.
Etiketa: Aktuale, Dobar Dan!, Eliza Hoxha, Kosova, Mirëdita, Serbia