Zafir Berisha premton mirëpërdorim të parasë publike


E martë, 8 Tetor 2013

Prizren, 8 tetor – Kandidati i BD-së për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha është takuar me banorët e fshatit Poslisht, në të cilin tubim është zotuar se në mandatin e ardhshëm paraja publike nuk do të keqpërdoret.

Ai ka shprehur bindjen se banorët e Poslishtit, por edhe të fshatrave tjerë të Vrrinit, janë dëshmitarë “të investimeve jo cilësore që po bën pushteti aktual, ku po keqpërdoret paraja publike për fushata elektorale”, dhe si rast konkret ka përmendur rrugën e këtij fshati, që sipas tij “ka filluar të ndërtohet para 5 muajve dhe po planifikohet të përfundoj pak para 3 nëntorit”.

“Ne garantojmë se institucionet komunale do të vihen në shërbim të qytetarëve dhe paraja publike nuk do të keqpërdoret siç është keqpërdorur deri me tani dhe të gjithë ata që kanë keqpërdorur paranë publike do të përgjigjen para organeve të drejtësisë”, citon Koha Ditore Berishën.