E hënë, 10 Mars 2014

Autor: Roald HYSA
Individi dhe bashkësia vazhdimisht kanë qenë në një marrëdhënie të vështirë. Kjo nuk shihet në jetën e përditshme, porse në çastet e vështira kur kjo bashkësi ka nevojë të udhëhiqet. Ndryshimet e udhëheqësve e nxjerrin në pah këtë marrëdhënie të vështirë pikërisht në momentin kur duhen bërë këto ndryshime. Në këto 24 vite demokraci kjo marrëdhënie ka rezultuar jashtëzakonisht e vështirë. Kjo u pa realisht për Komunitetin Musliman në rizgjedhjen e kryetarit të vet 5 vite më parë. Vitet e tranzicionit kanë qenë të vështira për të gjithë, por kjo është përjetuar më keq nga të gjithë nga Bashkësia Muslimane, e cila i ka ndjerë më shumë goditjet e marra gjatë regjimit komunist.
Ringritja e një sistemi kërkon shumë punë dhe kjo gjë me sa dimë nuk ka ndodhur. Medresetë u ngritën, por ato nuk arritën të prodhojnë sasinë e duhur të elementeve të nevojshëm për të arritur më pas në një seleksionim të natyrshëm të individëve, që do të merrnin më pas në dorë fatet e bashkësisë. Kjo mungesë strategjie e ka dëmtuar Komunitetin dhe të gjithë Bashkësinë. Shihen përpjekjet për ta bërë një gjë të tillë, pra për ngritjen e një sistemi arsimor efektiv brenda Bashkësisë, por jemi akoma në hapat e para. Ndërkaq zgjedhjet për kryetarin janë përsëri në fokusin e vëmendjes së shumë muslimanëve, por që nuk shihet dhe nuk bëhet e prekshme për të gjithë në një kohë kur dihet mirë se çfarë rëndësie ka për të gjithë muslimanët zgjedhja e liderit, i cili do të jetë fytyra e re e këtij Komuniteti dhe njëkohësisht ai që do t’i përfaqësojë në publik ata.
Ajo që i ka shqetësuar të gjithë të interesuarit është mungesa e transparencës ndaj gjithë këtij procesi, i cili ka nisur që prej muajsh, kur edhe u bënë ndryshime statutore, që sollën në drejtim edhe dy nënkryetarë shtesë të KMSH-së. Tashti që njëri prej tyre po kandidon dhe arrin të fitojë na e lind e drejta të themi, se lepuri na paska fjetur gjetiu. Megjithatë nuk është ky shqetësimi i vetëm. Një tjetër është se të gjithë kandidatët që u paraqitën përmbushin kritere, që nuk kanë të bëjnë aspak me publikun musliman. Asnjëri nuk është i përshtatshëm, qoftë si imazh, qoftë si përgatitje, qoftë edhe që nuk gëzojnë përkrahje nga xhemati. Këto janë mungesa themelore dhe që në rast të zgjedhjes së dikujt prej tyre Bashkësia Muslimane do t’i vuajë në vitet në vijim.
Këto fjalë që po i themi janë të vonuara dhe nuk na justifikojnë asnjërin prej nesh, sado përpjekje të kemi bërë në dobi të bashkësisë. Por mendoj se duhet hapur një debat publik, që të diskutohet haptaz se si duhet të zgjidhen njerëzit në drejtim të KMSH-së, e mos të na duhet të presim 5 vjet për t’u shkarkuar dikush, të cilit vendimet ia marrin të tjerët. Gjithashtu kushdo që të vijë në drejtim është i delegjitimuar në bazë të mënyrës se si ai po vjen. Nuk mund të pritet nga kushdo që të vijë në drejtim ta hapë një debat të tillë, në një kohë që sikur edhe të dojë ata që e kanë përkrahur nuk do ta lejojnë ta bëjë një gjë të tillë.
Nuk diskutohet aftësia e personit dhe shkollimi i tij, por shfaqja e një fytyre të re për të mbuluar gafat e hershme dhe zërat kundër brenda bashkësisë tonë. Kjo përpjekje nuk i sheshon zërat kundër, madje i shton ato për shkak të procedurave të dyshimta dhe mungesës të theksuar të transparencës me të cilat u ndoqën këto procedura. “Kalimi i butë i pushtetit” dhe shou që e ndoqi atë nuk mund të sjellin legjitimimin e kryetarit të ri dhe për pasojë atij do t’i mungojë autoriteti i duhur, që i nevojitet atij brenda bashkësisë. Kollarja dhe kostumi, së bashku me CV-në e bëjnë të besueshëm si bashkëbisedues me Shtetin dhe parimet mbizotëruese të qeverisjes së sotme, por kjo nuk e vendos kryetarin në pozita të tilla për të zgjidhur hallet e brendshme të trashëguara të Komunitetit. Njëkohësisht ky person vjen edhe si përfaqësues i një grupimi të caktuar, duke mbyllur kështu ciklin e ritit të shumëpërfolur “hanefi” dhe justifikimin e vazhdueshëm me të.
Gjithsesi po e përsëris Komuniteti Musliman i Shqipërisë ka nevojë për hapje dhe jo për mbyllje drejt së cilës e orientuan stafi i lartë drejtues. Patjetër që duhet hapur një debat urgjent, se si duhet t’i zgjidhim problemet e zgjedhjeve në rangjet e larta të KMSH-së. Injorohen persona me përvojë të gjatë në xhami dhe CV-ja e tyre për një CV profesori. Në të dyja kahjet e problemit ka mangësi të theksuara. Debati publik dhe aktivistët muslimanë janë injoruar deri tashti dhe ky është një fakt i ditur. Ka ardhur koha që zërat seriozë kundër brenda BASHKËSISË tonë të dëgjohen realisht dhe të merren parasysh.
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.
Etiketa: roald hysa