Zgjedhjet e reja dhe problemi i Veriut


E diel, 27 Nëntor 2022

Autor: Benjamin Krasniqi

Që nga paslufta, thujase asnjë qeveri nuk ka arritur ta dërgoj deri në fund mandatin e rregullt katër vjeçar. Kjo dukuri nuk prodhon stabilitet politik dhe i konvenon çdokujt tjetër përveç shtetit të Kosovës.

Në Kosovë qeveritë janë rrëzuar e vetrrëzuar për qëllime nga më të ndryshmet, por asnjëherë për të mirën e vendit.

Deri në zgjedhjet e fundit asnjëherë nuk ka pasur ndonjë dallim cilësor përveç atij nomenklator. Kanë ndërruar emrat e subjekteve por jo edhe kahjet e qeverisjes.
Në zgjedhjet e fundit, siç duket, përveç emrit është ndërruar edhe çasja ndaj problemeve, duke u fokusuar në zgjedhjen e tyre në afatgjatë dhe në interes të shtetit të Kosovës.
Qeveria e dalur nga zgjedhjet e fundit ka trashëguar një mal me probleme nga më të ndryshmet. Ndër problemet më të mëdha është problemi i veriut të Kosovës. Problemi i veriut është i vjetër sa vet liria e e Kosovës. Jo vetëm për nga thellësia dhe kohëgjatja e tij, por edhe për nga kompleksiteti i përplasjes së interesave që janë aty.

Duke e parë që problemi i veriut ka marrë kahjen e zgjidhjes, shumë zëra të paarsyeshëm kanë filluar të kërkojnë zgjedhje të reja.

Prandaj, çdo person i arsyeshëm duhet t’ia parashtroj vetes pyetjen: A janë zgjedhjet zgjidhje në këtë kohë?

Në vitin 2020, në kohën e pandemisë, u rrëzua qeveria me të vetmin qellim që në qeveri të vije një person i dëgjueshëm ndaj të gjithëve dhe i cili nuk ka hezituar ta nënshkruaj marrëveshje të dëmshme në emër të Kosovës. Marrëveshje si ajo e Washingtonit, e shtatorit 2020, e cila e detyronte Kosovën të hapte ambasadën në Jerusalem e që ky veprim ka prishur shumë marrëdhënie me botën islame. As vet BE nuk e ka përkrahur këtë veprim. Madje vet Vuçiçi në shtetet islame, ka marrë kredi 1 miliard $ me vetëm 3% kamatë, moratoriumi 1 vjeçar, futja në negociata e liqenit të Ujmanit etj.

Për shkak të rrethanave të ndryshme, mund të thuhet se organizini i zgjedhjeve në vitin 2021 kishin kuptim edhe pse ishin të parakohshme, por tash nuk kanë kuptim.
Kërkimi i zgjedhjeve parlamentare në këtë kohë nuk ka sens. Të kërkosh zgjedhje në këtë kohë, do të thotë të ofrohesh vullnetarisht dhe të thuash: “më mbështesni mua, sepse unë kam zgjidhje për problemin në Veri.” Duket që me konfidencë të madhe mund të themi se zgjidhja do dukej e ngjashme me faljen Malit të Zi 8000 hektarë. Një zgjidhje gjendet, por problemi rritet.
Zgjedhjet në këtë kohë janë ofrim për aleancë me kriminelët në veri dhe me Vuçiçin në Serbi.
Zgjedhjet e parakohshme, kur dihet fituesi, përveç që janë pakuptim janë edhe tallje, përveç nëse ndonjëra nga partitë e vogla ose të gjitha së bashku nuk kanë ndonjë plan që i falë territor Serbisë sikurse Malit të Zi.

Zgjedhjet e reja janë pa kuptim sepse sondazhet e nxjerrin fituese partinë qeverisëse. Kjo për arsyen se njerëzit janë pjekur dhe tashmë e dijnë që mund të bëhen punë të mira nëse ka vullnet politik.

Ata që kërkojnë zgjedhje të reja në këtë kohë se kanë gajlen e shtetit por të pushtetit. Privilegjet e pushtetit.

Zgjedhjet nuk duhet mbajtur edhe për arsyen e kostos që e kanë. Një palë zgjedhje mesatarisht i kushtojnë buxhetit të Kosovës afro 4.5 milion €. Me ato para që do të shpenzoheshin kot sepse fituesi dihet, do mund ndihmoheshin rastet sociale p.sh.
Zgjedhjet mbahen vetëm kur e kanë kohë e tyre ose kur qeverisja ka humbur shumicën në parlament ose legjitimitetin popullor, por jo për teket e secilit që kërkon vëmendje mediatike. Ose vetëm për ta përmbushur normën ditore të kritikës antiqeveritare.

Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, por partitë e vjetra kanë nevojë për ide të reja.
I rekthehemi edhe njëherë problemit të Mitrovicës.

Veriu i Kosovës është problem që nga çlirimi në vitin 1999. Jo me dëshirën tonë është problem. Problemin e Veriut e ka forcuar edhe marrëveshja e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë e që si rezultat ka themeluar listën Srpska. Një grup destabilizues për Kosovën dhe për sërbët e Kosovës. Lista Srpska nuk i ka shërbyer asnjëherë interesave të sërbëve lokal, por interesave personale të Vuçiçit. Madje kjo listë ka destabilizuar edhe politikën kosovare. Kjo listë është marionetë e Vuçiçit.

Se lista Srpska nuk punon për interesat e sërbëve lokal, dëshmon vendimi i fundit i tyre për tërheqje nga të gjitha strukturat shtetrore të Kosovës. Si nga strukturat e policisë, FSK-së, drejtësisë, arsimit, mjeksisë etj. Ky veprim dëshmon që ata nuk janë të interesuar për popullin sërbë, por për politikën serbe.

Tani shtrohet pyetja: kush ofron siguri për serbët e veriut? Dihet pra, shqiptarët, të cilët janë të interesuar për rend dhe ligj, e jo për anaraki dhe kriminalitet. Strukturat paralale serbe në veri nuk i shërbejnë sërbëve por bandave kriminale. Për këtë dëshmon fakti i futjes në listën e zezë të ShBA-ve të disa prej figurave kyqe të Srpska.

Si të dalim nga kjo anarki?

Kosova në marrëveshjen finale me Serbin, duhet të këmbëngul në shpërbërjen e këtij formacioni parapolitik. Kosova nuk guxon të jetë edhe më tej peng i kësaj liste.

Problemi në veri të vendit është i vjetër sa vet liria e Kosovës. Edhe vetë shteti i Kosovës i ka kontribuar problemit të veriut. Së pari me mosreagim të duhur në fillim-marsin e vitit 2000, kur u dëbuan me dhunë shqiptarët nga veriu i Mitrovicës, me çrast edhe u vran disa shqiptarë.
Gabim tjerët ishte ligji për aministi, që nuk rregulloj asgjë, vetëm se rojet e urës, strukturat kriminale i veshi me uniform shtetrore të Kosovës dhe i amnistoi nga çdo krim.

Mos reagimi për ndërtimin e lagjes Lugina e Diellit, që për qëllim ka kolonizimin e asaj pjese, me serbë nga çdo vend i Ballkanit. Mos reagimi i shtetit i ka trimëruar ata.
Shteti i Kosovës ka lëshuar pe sa herë ka dashur Serbia. Sa herë që i është plotësuar një kërkesë Serbisë ajo ka shtuar edhe disa të tjera.

Pagesa e rrymës për sërbët e veriut është akt diskriminues për shqiptarët. Janë fryrë faturat e rrymës për shqiptarët, për të mbuluar shpenzimin e rrymës për serbët në veri.
Kosova duhet të ndalë çdo privilegj ndaj serbëve të Kosovës në përgjithësi dhe për serbët e veriut në veçanti.

Vota është arma e popullit që mund ta përdor për t’ia rregulluar jetën vetës, familjes, shtetit dhe kombit. Dhe këtë gjë populli tashmë e ka kuptuar.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa:
Të fundit