E premte, 13 Shtator 2013
Regjistrimi i tokave bujqësore, që konsiderohet ndër projektet më kapitale të Republikës së Kosovës, nuk do të fillojë në nëntor të këtij viti, ashtu edhe siç ishte paraparë. Faktor kryesor për këtë janë zgjedhjet lokale, që është vendosur të mbahen më 3 nëntor. Këtë e kanë konfirmuar për portalin “Ferma Ime”, zyrtarë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), e cila e ka edhe përgjegjësinë kryesore për regjistrim.< Zëdhënësja e ASK-së Hazbije Qeriqi,thotë se ende nuk dihet se kur do të fillojë ky proces, i cili është mjaft i rëndësishëm për vendin. “Regjistrimi i bujqësisë i paraparë të mbahet në nëntor të këtij viti, do të shtyhet. Arsye për këtë shtyrje janë zgjedhje lokale që janë caktuar të mbahen në të njëjtën kohë. Si pasojë e kësaj, fillimisht duhet të bëhen ndryshimet brenda për brenda Ligjit për Regjistrimin e Bujqësisë, i cili duhet të ndodhë në Parlamentin e Kosovës, e pastaj të dihet saktë data e mbajtjes së këtij regjistrimi”, tha Qeriqi. Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë theksojnë se ASK-ja u ka bërë një kërkesë për shtyrje të regjistrimit. “Regjistrimi ka qenë i paraparë për të filluar në muajin nëntor, por ne kemi pranuar një kërkesë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila është bartëse e realizimit të projektit për shtyrje, meqë në nëntor do të mbahen edhe zgjedhjet lokale dhe na pengojnë në procesin e punës, sepse rol kyç në këtë proces kanë veçanërisht kryetarët e komunave”, thekson Adil Behramaj, zëdhënës i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Ai thekson se sikur të fillohej me procesin e regjistrimit, atëherë, do ishin krijuar dy fushata. “Për më tepër, fushata zgjedhore do të mbahej në të njëjtën kohë me fushatën informative për regjistrimin e bujqësisë dhe nuk do kishte shumë efekt. Gjithashtu, komisionet komunale të regjistrimit nuk janë krijuar në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe veriu do duhej përsëri të përjashtohej nga regjistrimi. Prandaj, duke e parë si të arsyeshme kërkesën e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjasat janë që ky regjistrim të shtyhet dhe të realizohet në muajin qershor të vitit të ardhshëm. Por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. Kur të merret ky vendim, do të njoftohen për të gjitha detajet”, tha Behramaj. E zëdhënsja e ASK-së hazbije Qeriqi thotë se shtyrja e regjistrimit të tokave bujqësore nuk do të ketë efekt negative. Sipas saj, Kosova nuk humb asgjë përveç një periudhe kohore. “Ky është një projekt i një rëndësie të veçantë për Kosovën, andaj edhe shtyrja për një kohe më të favorshme ishte mese e domosdoshme”, thekson Qeriqi. Implementimi i këtij projekti, i cili do të kushtoj rreth 4.7 milionë euro, ishte paraparë të financohet prej pjesës së mjeteve të mbetura në vlerë prej rreth 2.3 milionë euro nga regjistrimi i popullsisë dhe prej donatorëve të sektorit të bujqësisë dhe buxhetit shtesë të Qeverisë. Për herë të fundit, regjistrimi i bujqësisë në Kosovë është bërë në vitin 1960.