Zgjedhjet në Maqedoni dhe heshtja e pafalshme e Tiranës


E diel, 30 Mars 2014

Autor: Sulejman ABAZI

Qëndrimi i politikës në Tiranë dhe në Prishtinë për stabilitetin rajonal gjykoj se duhet të ishte aktiv, konsultativ dhe rekomandues, duke u qëndruar afër të tre udhëheqësve kryesorë në politikën shqiptare në Maqedoni. Këtë duhet ta bënte Presidenti i Shqipërisë, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, po kështu, respektivisht në Prishtinë.

Si mundet të qëndrohet indiferent në momente të tilla, që rrallë vijnë dhe të lejohet që, të mbizotërojë mëria, urrejtja, zënkat, qejfmbetjet dhe gjithçka tjetër negative tek liderët shqiptarë në Maqedoni dhe të shkelen me këmbë interesat e popullsisë shqiptare në këtë shtet?

Aty jetojnë shqiptarë me veçori shtetformuese, me rol të madh në stabilitetin e Maqedonisë, që i kanë sytë pa mëdyshje nga shteti amë kombëtar. Opinioni shqiptar në Maqedoni, po shfaqet përherë e më kritik ndaj politikave në Tiranë dhe Prishtinë, për marrëdhëniet e ngrohta dhe vëllazërore që duhet të mbizotërojnë kudo në hapësirat shqipfolëse.

Të mos harrojmë se ky qëndrim kritik buron edhe nga opinioni shqiptar në Luginën e Preshevës. Të kontribuosh në çështje të stabilitetit dhe të orientimit politik të faktorit shqiptar në Maqedoni, nuk është ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë. Kjo është një e drejtë që lejon marrëdhëniet politike midis palëve dhe aq më tepër, ndërmjet politikanëve shqiptarë.

Ky është një detyrim kushtetues i Tiranës zyrtare, e cila përveç marrëdhënieve të mira të bashkëpunimit me Kosovën, nuk duhet të lerë jashtë vëmendjes interesat shqiptare në Maqedoni. Ky është dhe duhet të jetë një kontribut real për demokratizimin e jetës politike shqiptare në Maqedoni, dhe i shërben stabilitetit politik të këtij shteti, që ka jo pak probleme në këtë fushë.

Por me sa gjykojmë, politikanët shqiptarë në Tiranë dhe Prishtinë nuk kanë hallin e Shkupit, sepse kanë mbi kokë “njëmijë halle” për vete, të përfshirë nga lufta politike e paprinciptë dhe antikombëtare për pushtet politik, të përshirë në një përplasje të motivuar thellësisht nga urrejtja, akuzat dhe kundër akuzat korruptive, të demotivuar tërësisht ndaj detyrimeve dhe kontributeve që duhet të japin në interes të shqiptarëve, kudo që jetojnë.

Kjo situatë është shumë e dhimbshme. Roli i politikës shqiptare është sipërfaqësor, me doza hipokrizie, aspak vendimmarrës, përballë ndjeshmërisë politike të opinionit shqiptar. Nëse kandidati shqiptar në zgjedhjet e tanishme presidenciale do të ishte konsensual, i propozuar dhe mbështetur nga të gjithë subjektet politike shqiptare, atëherë duhej të pretendohej që një sasi votash të merreshin në favor të tij edhe nga pakica të tjera në Maqedoni që konsiderohen aleatë politikë të shqiptarëve.

Vetëm opsione të tilla alternativë që vënë në provë fuqinë elektorale të shqiptarëve, do ta vinte në pozita të palakmuara faktorin politik maqedonas, të dominuar nën frymën nacionaliste. Pse duhet tja bëjmë këtë dhuratë politikës maqedonase?! Kush është vënë në shërbim të saj?!

Në të kundër të këtyre pyetjeve, do të kishim në një rast të tillë edhe shumë efekte të tjera pozitive në lidhje me potencialin elektoral shqiptar dhe me praninë demografike të shqiptarëve brenda shtetit maqedonas. Kjo mënyrë veprimi do ta trondiste nga themelet fryme e ultranacionalizmit të stimuluar maqedonas dhe do të vendoste raporte më te drejta të të dy popullsive shtetformuese, në të mirë të stabilitetit në këtë vend.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa:

Leave a Reply

Të fundit