Zgjedhjet qendrore dhe votuesit sot!


E mërkurë, 14 Maj 2014
Besim GOLLOPENI

Besim GOLLOPENI

Siç dihet tash më zgjedhjet politike në Kosovë do të zhvillohen me datë 8 qershor 2014. Sipas vrojtimeve dhe për aq sa mundet për këtë kohë të bëhen analiza, duket se do të jetë një garë e fuqishme mes subjekteve politike në vend, gara mes atyre që tentojnë të jenë të parët dhe të tjerave që tentojnë të kapin rreth 10 %, respektivisht të kalojnë pragun zgjedhor (5%) gjë që, është situatë ku vështirë te jepen analiza të thuktë se si do të duken përfaqësimet e subjekteve politike sipas renditjes, për më tepër kjo mbetet të shihet në ditët në vijim. Ajo që tash më mund tentativisht të konkludohet është fakti se do të ketë ndryshime (freskime) në rend të parë përbrenda subjekteve politike – do të ketë fytyra të reja pra, kandidatura të reja për deputet të parlamentit të Kosovës dhe një gjë të tillë besoj fuqimisht e pret elektorati, do të ketë lëvizje të anëtarëve të subjekteve politike nga njëri në tjetrin subjekt por, gjithsesi se do të këtë edhe befasia për (mos) arritëshmërinë e subjekteve të caktuara politike (% e pritur). Pa dashur të hyjmë në analiza më të thella me qëllim të nxjerrjes së një pasqyre të mundshme të përfaqësimeve të subjekteve politike dhe përbërjes së tyre, dua që të ndalemi në një pikë mjaftë e rëndësishme që ka të bëjë me mënyrën e votimit të elektoratit kosovarë për subjektin e caktuar politik.

Shtjelluar në mënyrë kronologjike që nga periudha e pas luftës (’99 – ës) e deri me tash, elektorati kosovar ka qen i ndarë mbi baza të subjekteve politike, pa njohur me saktësi ideologjinë apo/ose pa shqyrtuar programin zhvillimor të atij subjekti politik por, në të shumtën e rasteve të lidhur emocionalisht, për arsye familjare, klanore, grupore etj., shpesh të identifikuar i tërë rrethi me X apo Y subjektin politik duke i qëndruar votues besnik dhe tradicional i atij subjekti politik, të identifikuar në shumicën e rasteve me subjekte politike të ashtuquajtura “krahu i luftës dhe i paqes…”, shpesh herë duke votuar për inate dhe interesa të caktuara, duke sakrifikuar nga vetja të mira materiale dhe në disa raste edhe duke rrezikuar jetën e tyre në mbrojtje të imixhit të subjektit politik (bindjet politike) anëtar apo/ose simpatizant të secilit subjekt ishin. Kjo e fundit në njëfarë mënyrë ka krijuar edhe situata të pakëndshme mes individëve dhe grupeve të caktuara. Se a ka qenë e mirë dhe e drejt kjo ndarje e votuesve në këtë formë dhe forma të tjera të ngjashme e elektoratit kosovarë?, për mendimin tim jo vetëm që ka qenë e keqe por ka qenë shumë e dëmshme por, për më tepër do ta cilësoja si një ndër shkaktarët kryesor të tranzicionit të vonuar social, ekonomik dhe politik nëpër të cilin po kalon shoqëria kosovare – Kosova. Kjo formë e ndarjes së elektoratit i ka mundësuar subjekteve politike dhe përfaqësuesve të tyre të ndjehen më komod, në të njëjtën kohë të jenë më të përgjumosur e herë herë të mbrojnë vetëm interesat e tyre të ngushta por jo dhe interesat e qytetarëve për çka janë zgjedhur, duke krijuar paragjykime mes qytetarëve se politikanët punojnë për interesa të tyre dhe jo ato të vendit dhe qytetarëve të saj. Me këtë rast dua të citoj njërin ndër filozofët – Platonin, i cili në librin e tij Republika (shteti) ka shkruar “…momentin kur njerëzit jepen pas interesave individuale dhe harrojnë ato të përbashkëtat – kolektive paraqiten rreziqe të mëdha…”. Duhet thënë se ende hasim elemente të kësaj natyre (të cekur si më lart) por, vitet e fundit vërehet se ka një laramani të votuesve, ka disa ndryshime të cekura në këtë drejtim dhe atë për dy arsye. E para; dhe më e rëndësishmja konsideroj se është situata socio-ekonomike nëpër të cilën po kalon shoqëria kosovar, ku njerëzit tash më janë lodhur me situatën e tyre sociale-ekonomike, janë lodhur nga premtime boshe dhe duan të shohin projekte konkrete, janë lodhur nga skamja dhe duan të gëzojnë një jetë më të begatshme, etj., dhe thjesht më nuk janë të lidhur për subjekti politik në të shumtën e rasteve siç kanë qenë më parë. Sot elektorati kosovarë është ndarë pikë e pesë, dhe çdo njëri subjekt politik mund ta bëjë atë për vete nëse arrin ta josh me projekte konkrete. E dyta; pothuaj se hiq më pak e rëndësishme se e para, ka të bëjë me humbjen e besimit qytetarë karshi politikës. Sot qytetarët e veçmas profesionist të fushave duan që zëri i tyre të dëgjohet, të kenë vendin e merituar në pozicionet shoqërore dhe të japin kontributin e tyre dhe në këtë drejtim duket se ka filluar të ketë lëvizje pozitive megjithëse len edhe shumë për të dëshiruar në njërën anë, dhe në anën tjetër, sot më mirë se kurrë më parë nga subjektet politike të cilat garojnë në zgjedhje ka filluar të mendohet për programe sociale, ekonomike etj., në nivel vendi dhe më gjerë, ka filluar të ketë lëvizje drejt moralitetit politikë gjë që, kjo i ka munguar elitës politike në vend sidomos në dekadën e kaluar etj.

Sado që ka ndryshime pozitive në mënyrën e votimit tek elektorati kosovar, megjithatë ende lenë shumë për të dëshiruar. Akoma edhe sot e kësaj dite kemi votime familjare e grupore, ku në të shumtën e rasteve anëtari i familjes apo farefisit që ka epitetin e një njeriu më të arsimuar, apo siç thonë në popull ai apo ajo vjen nga kryeqendra (Prishtina) din diçka më tepër – njeh partitë dhe përfaqësuesit e tyre më mirë se të tjerët, ndonjë afaristi e kështu me radhë, japin rekomandime në formë imponuese se cilin subjekt apo kandidatë duhet votuar.

Përfundimisht, në mungesë të qartësimit të programeve politike (e djathtë, e majtë, e qendrës, etj.), sot elektorati është i shkapërderdhur gjithë andej vendit dhe përveç tjerash voton për subjektin politik pa e shqyrtuar programin e atij subjekti vetëm se është votues tradicional por, aktualisht janë shpeshtuar rastet e votimeve edhe për kandidatin e caktuar pavarësisht subjektit politik të cilit i takon ai apo ajo, por që është i lidhur me atë kandidat qoftë përmes besimit apo/ose vlerësimeve që i bënë virtyteve të atij individi etj.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.