Zhvarrosen trupat e tre personave që vdiqën pasi u operuan në QKUK


E enjte, 14 Shtator 2017

Prokurori i shtetit Valdet Gashi, gjatë ditës së sotme ka dhënë urdhër për zhvarrosjen e trupave të tre pacientëve të QKUK’së, vdekja e të cilëve është cilësuar si e dyshimtë nga ana e zyrtarëve të hetuesisë.

“Me qëllim që të vërtetohet shkaku i vdekjes, sot unë kam lëshuar urdhëresë për Institutin e Mjekësisë Ligjore që ta bëjë zhvarrosjen e tri kufomave për t’ia kryer autopsinë. Autopsia për këta tre pacientë do të kryhet nesër. Zhvarrosja ka përfunduar sot”, deklaroi Gashi.

Ndërkohë, zyrtarët në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) kanë thënë gjatë ditës për Express, se kanë qenë familjarët e pacientëve ata të cilët nuk kanë lejuar që t’u kryhet autopsia të afërmve të tyre.

“Kolegët tanë kanë kërkuar që t’u bëhet obduksioni, por familjarët e kanë nënshkruar dokumentin se nuk po duan që t’u bëhet obduksioni. Për njërin rast është me shkrim dokumenti që familjari nuk ka lejuar që të kryet obduksioni. Për tjetrin është verbal, d.m.th. në aspektin gojor. Obduksionet nuk janë bërë, dhe kjo tashmë nuk është në dorën tonë”, ka thënë  Shemsi Veseli, anëtar i Bordit në SHSKUK.

E prokurori i shtetit, Valdet Gashi ka njoftuar se tashmë ka filluar intervistimin e disa zyrtarëve në QKUK-së. Sipas tij, hetimet janë duke vazhduar. “Janë intervistuar edhe disa zyrtarë në QKUK”, ka thënë tutje Gashi.

Ndërkaq, zyrtarë nga Policia e Kosovës kanë bërë me dije se janë duke punuar në hetimin e rastit, sigurimin e dosjeve të pacientëve si dhe marrjen e deklaratave të dëshmitarëve.

“Jemi në fazën e parë të hetimeve, që përfshin sigurimin e dosjeve të pacientëve, marrjen e deklaratave të dëshmitarëve dhe profesionistëve shëndetësorë. Në kontekstin e procesit hetimor ne po vazhdojmë edhe me ndërmarrjen e veprimeve të tjera që po ndikojnë në sqarimin dhe ndriçimin e plotë të këtyre vdekjeve, si dhe po bashkëpunojmë me institucioneve relevante shtetërore që do t’i kontribuojnë procesit të hetimit”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë Agron Borovci, ka bërë të ditur Express.

Etiketa: ,

Leave a Reply

Të fundit