Cuma, Ağustos 28th 2026

Stadiumi i rinovuar “Camp Nou” i Barcelonës po shihet si një nga kandidatët kryesorë për të pritur finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2029.
Sipas “Mundo Deportivo”, kandidatura e stadiumit katalunas aktualisht vlerësohet më e fortë se ajo e “Wembley” në Londër. Për organizimin e finales, “Camp Nou” ka mbështetjen e Komunës së Barcelonës, Qeverisë së Katalonjës, Federatës Spanjolle të Futbollit dhe Qeverisë së Spanjës.
Një prej avantazheve kryesore të stadiumit është kapaciteti i parashikuar prej 104 mijë e 600 spektatorësh, që do ta rendiste “Camp Nou” si stadiumin me kapacitetin më të madh në Evropë. Pas përfundimit të projektit të rinovimit, parashihet që stadiumi të ketë edhe rreth 9 mijë e 400 ulëse VIP, shkruan 04 Online.
Punimet që po zhvillohen aktualisht nuk konsiderohen pengesë për kandidaturën, pasi zyrtarët e UEFA-s po e ndjekin nga afër ecurinë e projektit.
Finalja e Ligës së Kampionëve për vitin 2029 është planifikuar të zhvillohet më 2 qershor, ndërsa vendimi për stadiumin pritës pritet të merret më 15 shtator, gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Selanik të Greqisë.
Nëse kandidatura miratohet, “Camp Nou” do të rikthehej në qendër të një prej ngjarjeve më të mëdha të futbollit evropian, këtë herë në një stadium tërësisht të transformuar./04 Online/
Kaynak: prizrenpost
