“100 metra larg Fetahëve”, ky është vendimi ndaj ish-këshilltarit të Kurtit për rastin me miqtë


E mërkurë, 6 Maj 2026
“100 metra larg Fetahëve”, ky është vendimi ndaj ish-këshilltarit të Kurtit për rastin me miqtë

Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i ka caktuar të pandehurit Durim Berisha, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, masën e ndalimit për t’iu afruar në distancë prej 100 metrash të dëmtuarve Sami Fetahi dhe Tefik Fetahi, të cilët i pandehuri i ka miq (familjarë të gruas së tij).

Vendimi është marrë mbi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, teksa i pandehuri Berisha akuzohet për kryerjen e veprave “Ngacmimi” dhe Detyrimi”, raporton Klankosova.tv.

Kjo masë vlen deri më 31 maj të këtij viti.

Sipas aktvendimit, të siguruar nga Klankosova.tv, theksohet se për të pandehurin Berisha, ka dyshim të bazuar se në vazhdimësi ka kryer veprat penale “Ngacmimi” dhe “Detyrimi”.

“Miratohet kërkesa Prokurorisë Themelore në Prishtinë / Departamenti i Përgjithshëm PP/II.nr.1995/2026, të dt.02.05.2026, për caktimin e masës ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”, thuhet mes tjerash në aktvendimin e Gjykatës.

“Mosrespektimi i kësaj mase nga ana e të pandehurit konform nenit 175 par.5 të KPPRK-së, do të zëvendësohet me masën e paraburgimit. Obligohet stacioni Policor Veriu në Prishtinë, që ta mbikëqyrë respektimin e masës nga i pandehuri dhe ta njoftojë gjykatën lidhur me zbatimin e masës nga i pandehuri”.

“Nëse personat e mbrojtur me këtë masë qëllimisht cenojnë distancën të cilën të pandehurit detyrohen ta respektojnë, gjykata mund ta dënojë personin e mbrojtur me gjobë siç parashihet në nenin 443 të këtij Kodi”, theksohet më tej në aktgjykim.

Në aktvendim janë dhënë edhe detaje mbi të cilat edhe është marrë vendimi që Berishës t’i ndalohet afrimi ndaj të pandehurve në distancë prej 100 metrash.

“Në bazë të deklarimit të palës së dëmtuar dhe përmbajtjes së sms, ka rezultuar se i pandehuri në vazhdimësi ju ka dërguar të dëmtuarve mesazhet me përmbajtjet e cekura në dispozitiv të kësaj kërkese, fakt ky që vërtetohet edhe me shikimin e përmbajtjes së mesazheve”.

“Gjithashtu nga deklarimi i të pandehurit në Polici, i njëjti nuk e ka mohuar faktin se ka dërguar sms dhe as kontaktet me të dëmtuarit me të cilët thotë se është takuar në 2-3 ditët e fundit të muajit mars 2026”.

“I njëjti e ka pranuar gjithashtu se e ka kontaktuar edhe Suhejb Fathain. Veprimet tij i pandehuri i ka arsyetuar duke thënë se ka dashur t’i sqarojë problemet pronësore me të dëmtuarit. Gjithashtu i pandehuri e pranon se të hënën (më datë 04.05.2026) ka planifikuar të takohet me të dëmtuarin Tefik Fetahi. Prandaj, duke marrë parasysh sms ku i pandehuri i shkruan të dëmtuarit: ‘Të hënën (me datë 4 maj 2026) me emër të Zotit, ko**t kom me ardhë me ti marr. Boni gati qe t’mos humbim kohë tu t’prite, tui bo gati masi t’vim na’. Është formuar dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale të cilat janë duke u hetuar”, thuhet në një pjesë të aktvendimit.

I pandehuri është ndaluar më 1 maj, 2026, ndërsa është sjell të gjyqtari i procedurës paraprake paraditen e datës 3 maj. /Klankosova.tv


Burimi: klankosova

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit