40 raste me fruth të konfirmuara në Kosovë, IKShPK apelon për vaksinim


E hënë, 22 Qershor 2026
40 raste me fruth të konfirmuara në Kosovë, IKShPK apelon për vaksinim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill – 22 qershor 2026 janë regjistruar gjithsej 40 raste të konfirmuara me fruth në Kosovë.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar edhe 4 raste të reja.

Sa i përket shpërndarjes sipas komunave, numri më i lartë i rasteve është regjistruar në Ferizaj me 11 raste, Prishtinë me 9 raste dhe Kaçanik me 6 raste.

Në Fushë-Kosovë janë raportuar 3 raste, ndërsa në Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq nga 2 raste secila.

Nga një rast është raportuar në Gjilan, Drenas dhe Deçan.

IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast të simptomave të dyshimta si temperaturë e lartë, skuqje e lëkurës, kollë, rrufë apo konjuktivit, të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore më të afërta.

Duke theksuar infektueshmërinë e lartë të sëmundjes dhe rrezikun e komplikimeve, IKShPK-ja ka apeluar te prindërit dhe kujdestarët që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas kalendarit të rregullt.

“Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa-vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, theksohet në njoftim.


Burimi: mesazhi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit