Barnes: Problemi i Sakas është forma fizike


E hënë, 22 Qershor 2026
Barnes: Problemi i Sakas është forma fizike

Legjenda e Anglisë, John Barnes, beson se shqetësimi më i madh për Bukayo Saka në Kupën e Botës nuk është forma apo numri i golave, por gjendja e tij fizike.

Ylli i Arsenalit vjen në Botëror pas një sezoni të shkëlqyer, ku ndihmoi skuadrën londineze të fitonte titullin e Premier League për herë të parë pas 22 vitesh. Megjithatë, ai ka vazhduar të përballet me probleme në tendinën e Akilit, të cilat e kanë kufizuar edhe në kombëtare.

Saka e nisi ndeshjen e parë të Anglisë ndaj Kroacisë nga stoli, ndërsa Noni Madueke mori vendin e tij në krahun e djathtë të sulmit. Gjithashtu, ai nuk ka marrë pjesë plotësisht në stërvitjet e ekipit në prag të sfidës me Ganën.

Sipas Barnes, gjithçka varet nga gjendja fizike e lojtarit.

“Forma e tij ka qenë e shkëlqyer te Arsenali, por pyetja kryesore është sa i gatshëm është fizikisht. Të gjithë e dimë cilësinë që ka, ndaj problemi më i madh është vetëm gjendja e tij fizike dhe jo aftësitë futbollistike”, tha ai.

Barnes theksoi gjithashtu se numri i golave të Sakas nuk duhet të jetë shqetësim.

“Nëse Anglia fiton Kupën e Botës dhe Saka nuk shënon asnjë gol, kjo nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që ai të jetë pjesë e një skuadre fituese. Futbolli nuk ka të bëjë vetëm me statistikat individuale”, u shpreh ish-anësori anglez.

Sipas tij, trajneri Thomas Tuchel nuk fokusohet te numrat personalë të lojtarëve, por te mënyra se si ata kontribuojnë për ekipin.

Ndërkohë, vetë Tuchel ka bërë të ditur se nuk do të marrë asnjë rrezik me Sakan. Pas fitores 4-2 ndaj Kroacisë, trajneri gjerman deklaroi se lojtari po rikuperohet mirë dhe se pritet të jetë plotësisht gati deri në fund të fazës së grupeve.

Saka ishte i vetmi futbollist i Anglisë që nuk u stërvit me grupin gjatë fundjavës, duke ndjekur një program individual brenda ambienteve stërvitore, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës përgatitej për ndeshjen kundër Ganës. /GazetaExpress/


Burimi: 04online

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit