7 fuqitë botërore kundër Rusisë


E hënë, 3 Mars 2014

Washington, 3 mars – Partnerët e Rusisë të vendeve të G8-ës kanë dënuar ndërhyrjen ushtarake të Moskës në Ukrainë dhe janë në përpjekje diplomatike për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës. Gjithashtu grupi i shtatë vendeve më të industrializuara të botës ka deklaruar se do të pezullojë pjesëmarrjen në Samitin Ndërkombëtar të G8-ës që do të mbahet në qershor, në Sochi.

Në një deklaratë të dalë nga Shtëpia e Bardhë thuhet: “Ne liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe, SHBA-së, Presidenti i Këshillit Evropian dhe Presidenti i Komisionit Evropian bashkohemi sot për të dënuar shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nga Federata Ruse. Ne kemi vendosur të pezullojmë pjesëmarrjen në samitin G8 që do të zhvillohet në Sochi në qershor”.

Nga ana tjetër, si pasojë e përshkallëzimit të situatës ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të zhvillojnë një takim emergjent në Bruksel, ku pritet të diskutohen masat që do të merren nëse Rusia “nuk lëshon pe” ndaj Ukrainës.

Lëvizja vjen në një kohë kur ushtria ruse vazhdon të forcojë kontrollin e saj në gadishullin e Krimesë. Qeveria e Ukrainës ka akuzuar Rusinë se i ka shpallur luftë dhe ka urdhëruar mobilizimin e Forcave të Armatosura. Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i është dhënë ultimatum nga Perëndimi që të tërheqë trupat nga Ukraina, në të kundërt do të ketë sanksione ndaj Rusisë, por ky i fundit duket se do ta vazhdojë “lojën” e tij. Putin deklaron se ndërhyrja ushtarake në Ukrainë është e nevojshme pasi ai do të mbrojë jetën e rusëve në rajonin e Krimesë si dhe kudo ku ndodhen shtetasit e tij./shekulli/

Etiketa: ,
Të fundit