E premte, 2 Tetor 2026

Nuk ka kohë për shumë pushim e as për të vajtuar rastet e humbura. Vetëm një ditë pas barazimit pa gola me Izraelin, Kombëtarja e Kosovës ka nisur përgatitjet për sfidën e radhës në Ligën e Kombeve, atë ndaj Austrisë.
Dardanët u ndalën 0:0 në Debrecen, në një ndeshje ku paraqitja e tyre nuk ishte në nivelin e pritshmërive. Kosova pati vështirësi në krijimin e rasteve, ndërsa në disa momente u mbajt në lojë edhe nga pritjet e portierit Amir Shaipi.
Por tash e gjithë vëmendja është kthyer te Austria.
Skuadra e Franco Fodës ka nisur përgatitjet për duelin që zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një përballje ku Dardanët kërkojnë të tregojnë një tjetër fytyrë pas paraqitjes në Hungari.
Edhe lojtarët e kanë bërë të qartë se duhet të rikuperohen shpejt dhe të fokusohen te ndeshja e radhës. Leon Avdullahu pas barazimit me Izraelin deklaroi se Kosova duhet të përgatitet dhe të ketë fokusin te Austria.
Përballja me Austrinë pritet të jetë krejtësisht tjetër histori. Kosova tashmë e njeh kundërshtarin, me të cilin u përball edhe javën e kaluar, ndërsa austriakët aktualisht kryesojnë Grupin B3.
Dardanët kanë katër pikë pas tri ndeshjeve, ndërsa Austria është në krye me shtatë. Prandaj, ndeshja e së dielës mund të jetë një mundësi për Kosovën që ta lërë pas zhgënjimin e Debrecenit dhe të rikthehet te një paraqitje më bindëse para tifozëve në Prishtinë.
Burimi: 04online
