E martë, 12 Maj 2026

Miliona të shpenzuara për të thyer izolimin ndërkombëtar përmes muzikës
Një hetim i detajuar gazetaresk i New York Times, i shtrirë në dhjetë vende evropiane, ka zbuluar detajet e një fushate të organizuar nga qeveria izraelite për të shndërruar Festivalin e Eurovisionit në një mjet të fuqishëm të propagandës kombëtare.
Sipas raportit, Izraeli shpenzoi të paktën një milion dollarë dhe u angazhua në një aktivitet të dendur diplomatik për të përmbysur izolimin ndërkombëtar të shkaktuar nga lufta në Gaza dhe akuzat për gjenocid.
Për qeverinë e Benjamin Netanyahut, Eurovisioni nuk ishte thjesht një konkurs këngësh, por një mundësi unike strategjike. Pika e kthesës erdhi në edicionin e vitit 2024 në Malmö, ku pavarësisht klimës së protestave dhe thirrjeve për bojkot nga vende si Islanda dhe Sllovenia, përfaqësuesja izraelite Eden Golan zuri vendin e dytë.
Ky rezultat, i cili erdhi kryesisht nga votat e publikut në vende historikisht pro-palestineze, nuk ishte spontan. Dokumentet financiare tregojnë se qeveria kishte ndarë mbi 800.000 dollarë në reklama online për të promovuar votimin masiv.
Një pjesë e këtyre fondeve rrodhi direkt nga zyra e kryeministrit nën zërin e “hasbara” – termi izraelit për diplomacinë publike dhe propagandën jashtë vendit. Hetimi zbulon një dobësi strukturore në sistemin e votimit të Eurovisionit, ku në shumë vende numri i shikuesve që marrin pjesë në televotim është mjaft i ulët.
Në këtë kontekst, një fushatë e koordinuar që nxit një grup të vogël njerëzish të votojnë limitin maksimal prej 20 herësh mund të përmbysë lehtësisht rezultatin e një kombi të tërë.
Gjatë edicionit të vitit 2025, vetë Netanyahu u përfshi drejtpërdrejt, duke postuar në rrjetet sociale udhëzime për fansat se si të votonin maksimalisht për përfaqësuesin izraelit.
Përtej sferës digjitale, Izraeli ushtroi një “diplomaci paralele” me një presion të paprecedentë mbi transmetuesit evropianë. Diplomatët e Tel Avivit kontaktuan drejtuesit e televizioneve publike, duke habitur zyrtarët e mediave në vende si Islanda, të cilët nuk ishin mësuar me ndërhyrje të tilla politike në një event artistik.
Kjo strategji është pjesë e një plani më të gjerë ekonomik. Buxheti i Izraelit për diplomacinë publike është dhjetëfishuar, duke arritur në 730 milionë dollarë në vitin 2025.
Ky shpenzim marramendës synon të riparojë imazhin e dëmtuar rëndë të vendit në SHBA dhe Evropë. Megjithatë, përpjekja për të “blerë” pëlqimin publik po jep rezultate të kufizuara.
Në edicionin e këtij viti në Vjenë, pesë vende – Islanda, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Spanja – njoftuan tërheqjen e tyre në shenjë proteste.
Ky bojkot masiv vërteton se, pavarësisht investimeve miliona dollarëshe, arti dhe muzika mbeten të vështira për t’u kontrolluar plotësisht përmes fuqisë financiare kur realiteti në terren flet ndryshe. /tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
