Netanyahu paraqitet në gjykatë në seancën e 86-të në gjyqin për korrupsion


E martë, 12 Maj 2026
Netanyahu paraqitet në gjykatë në seancën e 86-të në gjyqin për korrupsion

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u paraqit sot para Gjykatës së Qarkut në Tel Aviv për herë të 86-të për t’iu përgjigjur akuzave për korrupsion kundër tij, transmeton Anadolu.

Netanyahu përballet me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në tre raste të mëdha korrupsioni të njohura si Rastet 1000, 2000 dhe 4000. Aktakuzat u ngritën në fund të nëntorit 2019.

Kanali 12 i Izraelit tha se marrja në pyetje e Netanyahut përfundoi në Rastin 4000 dhe filloi në Rastin 2000. Marrja në pyetje në Rastin 1000 përfundoi në nëntor 2025. Që nga fillimi i gjyqit të tij për korrupsion në vitin 2020, Netanyahu ka mohuar çdo shkelje. Ligji izraelit lejon një falje presidenciale vetëm pasi një i pandehur pranon fajësinë.

Rasti 1000 përfshin akuza se Netanyahu dhe anëtarët e familjes së tij morën dhurata të shtrenjta nga biznesmenë të pasur në këmbim të favoreve dhe ndihmës në çështje të ndryshme. Në Rastin 2000, Netanyahu akuzohet se ka negociuar me Arnon Mozes, botuesin e të përditshmes izraelite “Yedioth Ahronoth”, për të marrë mbulim të favorshëm mediatik.

Rasti 4000 përqendrohet në akuzat se Netanyahu i dha përfitime ish-pronarit të faqes së internetit izraelite të lajmeve Walla, Shaul Elovitch dhe një ish-zyrtari në kompaninë e telekomunikacionit Bezeq, në këmbim të mbulimit të favorshëm.

Përveç gjyqit për korrupsion të brendshëm, Netanyahu kërkohet që nga viti 2024 nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJPN) për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës, ku më shumë se 72 mijë njerëz janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, në një luftë brutale që nga tetori i vitit 2023.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit