E martë, 12 Maj 2026

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe në bashkëpunim me njësitet tjera relevante dhe institucionet e drejtësisë, ka njoftuar se ka realizuar me sukses një transferim të një të dënuari nga Shqipëria për në Kosovë.
I dënuari për trafikim armësh, R.F, është shtetas kosovar dhe pjesën tjetër të dënimit do ta vuajë në Kosovë.
“Me datën 12.05.2026 është transferuar nga Shqipëria për në Kosovë, shtetasi i Kosovës R. F. i dënuar në shtetin e Shqipërisë për veprën penale: ‘trafikim i armëve dhe municionit në bashkëpunim’, parashikuar nga neni 287/a i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, ku i njëjti pas transferimit, i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit prej 3 vjet e 9 muaj burgim dhe 28 ditë burgim, pasi që një pjesë të dënimit e kishte vuajtur në shtetin shqiptar. Transferimi u realizua përmes pikës kufitare Vërmicë nën masa të rrepta të sigurisë.”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se transferimi u realizua falë bashkëpunimit në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. /Klankosova.tv
Burimi: klankosova
