E hënë, 18 Maj 2026

Nxit mbi gjashtëdhjetë sëmundje, duke përfshirë dëmtimet e trurit dhe kancerin
Alkooli është shkaku parësor ose dytësor i dhjetëra sëmundjeve, të cilat mund të parandaloheshin nëse do të pakësonim përdorimin e tij.
Një rishikim shkencor mbi këtë çështje, vërteton se kjo lëndë shkakton dëme të qenësishme për shëndetin, disa prej të cilave ndreqen pjesërisht nëse pakësohet ose ndërpritet krejtësisht pirja.
Lista e gjendjeve shëndetësore që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me alkoolin është tronditëse. Disa prej tyre, si dëmtimet e mëlçisë ose disa lloje kanceri, janë të njohura botërisht.
Të tjera, si plagosjet, humbja e mendjes, tuberkulozi ose virusi HIV, nuk janë ndër sëmundjet e para që njeriu i lidh me përdorimin e tepruar të alkoolit.
Sipas Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve, të hartuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, mbi gjashtëdhjetë sëmundje dhe lëndime i mvishen plotësisht alkoolit ose përdorimit të tij të tepruar.
Disa shembuj janë sëmundja alkoolike e muskulit të zemrës, që pakëson aftësinë e pompimit të gjakut, sëmundjet alkoolike të mëlçisë si cirroza, që zëvendëson indin e shëndetshëm si dhe sindroma alkoolike e fetusit.
Kjo e fundit sjell një varg anomalish në zhvillimin nervor të foshnjës në barkun e nënës, duke shkaktuar probleme trupore, sjellore dhe mendore për tërë jetën.
Alkooli dëmton punën e mëlçisë, e cila normalisht shërben si filtër kundër thirrësve të sëmundjeve, dhe dobëson mbrojtjen natyrore të trupit.
Kjo gjë e bën njeriun më të prekshëm ndaj sëmundjeve të rënda ngjitëse, si mushkëritë e bardha dhe tuberkulozi. Për shkak të vetisë së tij për të hequr frenat e vetëpërmbajtjes, alkooli mund të nxisë edhe infeksionet që merren përmes marrëdhënieve trupore, si virusi HIV.
Gjithashtu, ecuria e kësaj sëmundjeje drejt fazës së rëndë është më e shpejtë te personat që pinë alkool. Ndërsa te ata që marrin barna, alkooli ndërhyn keq te mjekimi ose bën që ata t’i harrojnë apo t’i lënë pas dore.
Pesë grupe të mëdha sëmundjesh lidhen me alkoolin. Këto janë: kanceret, sidomos ai i gojës, grykës, rrugëve të frymëmarrjes, ushqimzorrës, zorrës së trashë, mëlçisë, gjirit dhe qafës së mitrës; sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut, si presioni i lartë i gjakut, goditjet në tru, ushqyerja e pakët e zemrës me gjak dhe rrahjet e çrregullta të saj; diabeti i tipit dy ; sëmundjet mendoro-nervore; si dhe sëmundjet e stomakut e të zorrëve, ku përveç cirrozës përfshihet edhe pezmatimi i pankreasit.
Përdorimi i alkoolit ia vështirëson trurit drejtimin e shikimit, vëmendjes, reagimeve të shpejta, kujtesës, të folurit dhe gjykimit. Këto aftësi janë jetike për të dalluar rreziqet, për t’u koordinuar, për të drejtuar automjetin dhe për të shmangur sjelljet e rrezikshme.
Dehja lidhet ngushtë me rrezikun për të pësuar lëndime ose për t’u shkaktuar të tjerëve dëme përmes aksidenteve rrugore, rënieve, sjelljeve të pakujdesshme dhe dhunës. Edhe nëse pakësohet sasia e alkoolit të konsumuar, këto sëmundje përparojnë më ngadalë, por dëmet mbeten. tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
