E mërkurë, 20 Maj 2026

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-deputetit Milaim Zeka në rigjykimin për rastin e shmangies nga tatimi, duke e dënuar me një vit burgim me kusht dhe 3 mijë euro gjobë. Po ashtu, ai është obliguar që Administratës Tatimore të Kosovës t’ia kompensojë shumën prej 81 mijë eurosh.
Vendimi u shpall të mërkurën nga gjyqtarja Edita Çanta, raporton “Betimi për Drejtësi”. Sipas aktgjykimit, dënimi me burgim ndaj Zekës nuk do të ekzekutohet nëse ai gjatë periudhës verifikuese prej dy vitesh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, transmeton Klankosova.tv.
Përveç gjobës prej 3 mijë eurosh, Zeka obligohet që dëmin ndaj Administrata Tatimore e Kosovës ta kompensojë brenda 30 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Ai gjithashtu duhet të paguajë 100 euro për shpenzime procedurale dhe 20 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Ndërkaq, për pikën e dytë të aktakuzës, ku Zeka akuzohej bashkë me Ilir Krasniqi për veprën penale “Shmangie nga tatimi”, Gjykata mori aktgjykim refuzues, pasi prokurori i shtetit ishte tërhequr nga ndjekja penale për këtë pikë.
Në seancën e 15 majit 2026, prokurori Ali Ajdini deklaroi se Prokuroria tërhiqet nga kjo pjesë e aktakuzës, pasi super-ekspertiza kishte konstatuar se biznesi “I.K & M.Z. OP” nuk kishte obligime tatimore. Megjithatë, për pikën e pestë të aktakuzës, ku akuzohej vetëm Zeka, Prokuroria kërkoi shpalljen e tij fajtor, transmeton Klankosova.tv.
Në shpalljen e aktgjykimit ishin të pranishëm Milaim Zeka me avokatin e tij Dren Kukaj, si dhe Ilir Krasniqi me mbrojtësin Qendrim Arifaj.
Ky rast lidhet me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në vitin 2018 ndaj Milaim Zekës, Ilir Krasniqit dhe Edmond Kërliut, për veprat penale “Mashtrim”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Pastrim i parave”. Sipas Prokurorisë, të akuzuarit dyshohej se përmes agjencisë “I.K & M.Z. OP” kishin mashtruar qytetarë duke u premtuar punësim në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla”.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 prill 2022 kishte shpallur aktgjykim lirues për të akuzuarit, por Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim pjesën që lidhej me veprën penale të shmangies nga tatimi ndaj Zekës dhe Krasniqit.
Burimi: klankosova
