E mërkurë, 20 Maj 2026

Policia e Kosovës ka zhvilluar kontrolle në disa shkolla të Mitrovicës së Jugut dhe të Skenderajt.
Sipas forcave të rendit, gjatë së mërkurës, në njërën nga shkollat e mesme të larta në Skenderaj, janë gjetur dy mjete të rrezikshme.
Sipas njoftimit, sot është realizuar një kontroll i nxënësve nga vet stafi i shkollës dhe pas përfundimit të kontrollit, njësia policore për sigurinë në shkolla është njoftuar nga drejtori i shkollës për mjetet e gjetura te dy nxënësit.
“Tek një nxënës është gjetur një mjet i mprehtë (thikë), ndërsa tek një nxënës tjetër janë gjetur: • një armë zjarri e llojit pistoletë; • 19 fishekë; • një gëzhojë;• një predhë e armës së gjatë.”, thuhet në njoftm.
Kurse, te një nxënës tjetër është gjetur një thikë.
Policia ka konfiskuar të gjitha gjësendet e dyshuara dhe të dy nxënësit janë shoqëruar në stacion policor.
“Të njëjtit janë intervistuar në prani të prindërve dhe mbrojtësve të tyre. Pas njoftimit të prokurorit për të mitur, me vendim të tij nxënësit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj nxënësit tek i cili është gjetur arma e zjarrit është iniciuar rasti për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sipas forcave të rendit, ky aksion është realizuar gjatë javës së kaluar edhe në tri shkolla të mesme të larta në Mitrovicë Jug ku janë kontrolluar 460 nxënës, mirëpo tek nxënësit nuk është gjetur asnjë mjet i rrezikshëm apo i kundërligjshëm.
“Kontrolle të tilla do të realizohen edhe në të ardhmen andaj Policia apelon tek të gjithë nxënësit që të mos bartin armë dhe mjete të rrezikshme pasi që veprime të tilla paraqesin rrezik serioz për sigurinë dhe janë të ndaluara me ligj.”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv
Burimi: klankosova
