E mërkurë, 20 Maj 2026

Presidenti kinez, Xi Jinping, në një konferencë të përbashkët me homologun e tij rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se lidhjet mes Rusisë dhe Kinës janë “në përputhje me kërkesat e kohës”, transmeton Anadolu.
“Ne do të ecim përpara në mënyrë të qëndrueshme, me besim dhe pa u ndalur, duke arritur nivele të reja madhështore”, tha Xi pas bisedimeve me Putinin në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin.
Dje, Putini nisi vizitë dyditore në Kinë, vetëm pak ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump, përfundoi vizitën treditore gjatë së cilës zhvilloi bisedime me presidentin kinez.
“Marrëdhëniet dypalëshe kanë arritur nivele të reja dhe aktualisht ndodhen në pikën më të lartë të një partneriteti gjithëpërfshirës dhe ndërveprimi strategjik në epokën e re”, tha Xi duke theksuar lidhjet Kinë-Rusi si “një shembull i një lloji të ri marrëdhëniesh mes dy fuqive të mëdha”.
Xi gjithashtu i quajti “miqësore dhe produktive” bisedimet dypalëshe me Putinin.
Ai bëri thirrje për përpjekje në forcimin e besimit të ndërsjellë politik dhe të partneritetit strategjik, promovimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit cilësor, inkurajimin e komunikimit dhe bashkëpunimit me cilësi të lartë si dhe ndjekjen e zhvillimit dhe prosperitetit.
Presidenti kinez po ashtu kërkoi bashkëpunim më të fortë në tregti, energji, ekonominë digjitale, inteligjencën artificiale dhe inovacionin teknologjik si dhe bashkëpunim ndërkombëtar cilësor për reformimin dhe përmirësimin e qeverisjes globale.
“Miqësia ruso-kineze po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje tek të rinjtë dhe kombet tona po afrohen dhe po e kuptojnë njëri-tjetrin më mirë”, tha Xi duke theksuar lidhjet e forta në fushat kulturore dhe humanitare, përfshirë turizmin, arsimin dhe sportin.
Të dyja palët nënshkruan disa dokumente, përfshirë marrëveshje për bashkëpunim dypalësh, një deklaratë të përbashkët për një rend botëror shumëpolar dhe “lloj të ri” marrëdhëniesh ndërkombëtare si dhe një tjetër për koordinim më të thellë strategjik dhe bashkëpunim miqësor mes Rusisë dhe Kinës.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
