E premte, 22 Maj 2026

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të dyshuarve, punëtorë të një banke, U.Z. dhe K.K., të cilët ndodhen në ndalim 48-orësh, nën dyshimin për kryerjen në bashkëkryerje të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit, në cilësinë e personave zyrtarë bankarë, dyshohet se kanë tejkaluar autorizimet e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke i shkaktuar dëm financiar qytetares R.L. nga Prizreni, transmeton Klankosova.tv.
Hetimet paraprake tregojnë se U.Z., në cilësinë e menaxherit të bankës, pas aprovimit të një kredie, nuk e ka njoftuar të dëmtuarën dhe ka liruar mjete financiare në vlerë prej 24 mijë eurosh nga llogaria e saj pa dijeninë e saj.
Ndërkaq, K.K., si analist kredie, dyshohet se ka ekzekutuar transferimin e mjeteve në llogaritë e dy bizneseve, nga 12 mijë euro për secilin.
Sipas organit të akuzës, me këto veprime të dyshuarit e kanë ngarkuar të dëmtuarën me një kredi fiktive në vlerë prej 25 mijë eurosh, si dhe me procedurë përmbarimore, duke i shkaktuar dëm material në të njëjtën shumë.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria thotë se janë realizuar bastisje në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve, ku janë sekuestruar prova materiale dhe digjitale që konsiderohen të rëndësishme për procedurën hetimore. /Klankosova.tv
Burimi: klankosova
