E shtunë, 23 Maj 2026

Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare e SHBA-së, Tulsi Gabbard, njoftoi sot dorëheqjen e saj nga administrata e presidentit Donald Trump, duke përmendur si arsye diagnozën me kancer të bashkëshortit të saj, transmeton Anadolu.
“Fatkeqësisht, duhet të paraqes dorëheqjen time, me efekt nga 30 qershori 2026”, tha Gabbard në një letër të publikuar në platformën sociale amerikane X. “Bashkëshorti im, Abraham, është diagnostikuar së fundmi me një formë jashtëzakonisht të rrallë të kancerit të kockave”, tha ajo.
“Jam thellësisht mirënjohëse për besimin që më keni dhënë dhe për mundësinë për të drejtuar Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare gjatë një viti e gjysmë të fundit”, i ka thënë ajo Trumpit në letër, gjë që u konfirmua edhe nga presidenti në një postim pothuajse të njëkohshëm në platformën e tij Truth Social.
“Fatkeqësisht, pasi ka bërë një punë të shkëlqyer, Tulsi Gabbard do të largohet nga administrata më 30 qershor”, tha Trump. Ai shtoi se zëvendësdrejtori kryesor i inteligjencës kombëtare, Aaron Lukas, do të shërbejë si ushtrues detyre në vend të saj.
Vendimi ishte raportuar më herët nga mediat amerikane.
Axios kishte thënë se vendimi i saj nuk lidhej me ndonjë polemikë apo shqetësim për performancën e saj.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale