Hije Gaze në reagimin e investitorit të Zvërnecit: ca fraza, si t’i kishte shkruar Edi Rama…


E diel, 31 Maj 2026
Hije Gaze në reagimin e investitorit të Zvërnecit: ca fraza, si t’i kishte shkruar Edi Rama…

Një palo qeverisje me tradhëti kombëtare brenda: as gjyshja e ndjerë nuk do ia falte!

Në një reagim pas protestave në Zvërnec, kompania që synon të investojë aty një resort turistik, nuk kishte asnjë ndjesë ndaj rastit të marrjes zvarrë të një protestuesi nga sigurimi privat i saj, dukshëm persona pa gjak dhe me imazh kriminal madje.

Aty kishe vetëm një keqardhje: “Me keqardhje të thellë që po abuzohet me ndjenjat e publikut në rrjetet sociale dhe po investohet për të përbaltur një sipërmarrje kolosale për turizmin dhe ekonominë shqiptare, kompania ‘Zvërnec South Adriatic Development’”, niste reagimi.

Më pas, vjen pjesa e joshjes ekonomike, si në rastin e Gazës, ku Trump & Co ofron projekte investuese aty ku toka është larë në gjak, pas së cilave fshihet përzënia e vendasve, atyre që nuk pranojnë të lëshojnë tokën e tyre dhe nën gjenocid.

“Investimi parashikohet të arrijë vlerën e mbi 4 miliardë eurove, duke kontribuar me një rritje nga tre deri në katër përqind në GDP (Prodhimi i Brendshëm Bruto) e Shqipërisë, në pesë vitet e ardhshme”.

Investimi do të krijojë direkt dhe indirekt mbi 10.000 (dhjetë mijë) vende të reja pune, duke u bërë një motor i rëndësishëm për ekonominë e zonës, të qarkut Vlorë dhe gjithë Shqipërisë”, thuhet në deklaratë, sikur ta kishte shkruar vetë Rama. Pse? Sepse premtimet e Ramës të tilla janë, siç kanë qenë prej kur erdhi në pushtet, për shumëçka, ku pothuajse të gjitha kanë rezultuar flluska.

Më tej vjen kjo pjesë e reagimit:

“Bazuar në eksperiencat e mëparshme të investitorëve, që kanë një portofol ndër më të spikaturit globalisht në fushën e turizmit, kompania beson se…”.

Pyetja që vjen është: cilat janë këto eksperienca? Ku janë zbatuar? Cili është bilanci i tyre?

Duhet kuptuar që protesta e djeshme në Zvërnec nuk ishte një refuzim i zhvillimit ekonomik, por një mllef për shumëçka po shkon mbrapsht në këtë vend, ku tashmë po shfaqet qartë dhe gjëma që po troket: izraelizimi i Shqipërisë, pikërisht me të tilla forma, ku kolonializimit i paraprihet me kinse investime zhvillimore.

Në finale, testi më adekuat nëse një vend i ka punët mbarë ose jo, është raporti i qytetarit me vendin, si dhe me shtetin e tij.

Qytetari shqiptar po e urren dhe më shumë shtetin e vet me Edi Ramën në pushtet, prej padrejtësive të mëdha qeverisëse, duke zgjedhur që mos jetojë më këtu. Po e bën këtë si kurrë më parë në histori, madje as si në 97-ën. Dhe mjafton kaq që Edi Rama të shihet si drama më e madhe në historinë e politikës shqiptare e jo si më i sukseshmi i saj, siç do pëlqente të shihej e gjykohej.

Qeverisja e tij po trazon në varr dhe gjyshen e ndjerë, atë që e rriti dhe që pretendon se e mëkoi me principin e bërjes mirë për këtë vend. Jo, as ajo nuk mund t’ja falë këtë që po bën për Shqipërinë, duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e saj nesër.

Për këtë palo qeverisje, me tradhëti kombëtare brenda, vetë Edi Rama do kishte ulëritur nga marrazi dhe do e kish mprehur keq penën e tij acide për ta bërë fërtele në denoncim të tipit pamflet politik, nëse do kishte ai kritizieri rebel, apo qoftë dhe thjesht në kushte opozitari politik. /tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit