E martë, 2 Qershor 2026

Malajzia dënoi me forcë bastisjen e fundit nga okupuesit ekstremistë izraelitë në Xhaminë Al-Aksa në Kuds, përfshirë ngritjen e flamurit izraelit brenda vendit të shenjtë mysliman, duke e përshkruar aktin si një provokim të rëndë dhe një shkelje të shenjtërisë së tij, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të martën, Ministria e Jashtme e Malajzisë tha se çdo përpjekje për të judaizuar Xhaminë Al-Aksa është e neveritshme dhe përbën një përdhosje të vendit.
Ajo tha se veprimet e fundit nga okupuesit, të cilat u mbështetën nga regjimi izraelit, kanë për qëllim ndryshimin e realitetit në terren, si dhe karakterin kulturor, historik dhe fetar të Xhamisë Al-Aksa.
“Veprime të tilla janë provokuese dhe të papranueshme dhe shpërfillin rolin kujdestar mbi vendet e shenjta islame në Kuds. Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të heshtë ndërsa armiqësia dhe agresioni po ndodhin në sy të publikut”, tha ministria.
Malajzia i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe Kombeve të Bashkuara të marrin masa të menjëhershme dhe konkrete për të ndaluar shkeljet e vazhdueshme dhe për të siguruar që Izraeli të mbahet përgjegjës.
Duke riafirmuar solidaritetin e saj me popullin palestinez, Malajzia përsëriti mbështetjen e saj për krijimin e një shteti të pavarur palestinez bazuar në kufijtë para vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet.
Të dielën, okupuesit izraelitë sulmuan Xhaminë Al-Aksa nën mbrojtjen e policisë dhe ngritën flamuj izraelitë brenda oborreve të saj, së bashku me kryerjen e ritualeve provokuese.
Që nga viti 2003, policia izraelite u ka lejuar në mënyrë të njëanshme okupuesve të hyjnë në xhami çdo ditë gjatë dy periudhave – lutjeve të mëngjesit dhe të pasdites – përveç të premteve dhe të shtunave.
Palestinezët thonë se Izraeli po intensifikon përpjekjet për të judaizuar Kudsin Lindor, përfshirë Xhaminë Al-Aksa, dhe për të fshirë identitetin e tij arab dhe islamik.
Palestinezët e konsiderojnë Kudsin Lindor si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm, bazuar në rezolutat ndërkombëtare që nuk e njohin pushtimin e qytetit nga Izraeli në vitin 1967 ose aneksimin e tij në vitin 1980.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
