“Zvërneci”: ç’garanci kanë marrë Rama dhe Berisha nga Uashingtoni dhe Tel Avivi?


E martë, 2 Qershor 2026
“Zvërneci”: ç’garanci kanë marrë Rama dhe Berisha nga Uashingtoni dhe Tel Avivi?

Fijet e padukshme që lidhin resortin me interesat meskine të politikës shqiptare dhe lobingjeve ndërkombëtare

Protestat e fundit qytetare dhe të aktivistëve mjedisorë kundër ndërtimit të resortit turistik në Zvërnec, kanë nxjerrë zbuluar diçka shumë më të rrezikshme se sa thjesht babëzia e radhës për beton.

Ato kanë nxjerrë në pah kalbëzimin total të elitës sonë politike dhe ekzistencën e një”kapjeje të shtetit” në nivelet më të larta. Ndërsa shoqëria po sheh me dëshpërim se si një nga perlat e fundit të virgjëra të ekosistemit tonë po copëtohet për t’iu dhuruar oligarkisë në emër të “zhvillimit”, Edi Rama dhe Sali Berisha luajnë pjesët e tyre në një teatër të mirë-inskenuar.

Ky është një pakt i heshtur ku kufijtë ideologjikë fshihen plotësisht përpara interesave të ngushta për pushtet, para dhe imunitet. Nga njëra anë, qeverisja e Edi Ramës e ka shndërruar Shqipërinë në një menu speciale për investitorët e vetëshpallur si “strategjikë”.

Me ligje të qepura me porosi, pa dëgjesa publike dhe me një arrogancë që shpërfill çdo vlerësim mjedisor, kryeministri Rama po sillet si pronari i vetëm dhe feudal i këtij vendi. Zvërneci po flijohet në altarin e një modeli ekonomik që nuk synon turizmin elitar, burimet e të cilit shkojnë deri te fijet e interesave të fuqishme që lidhin Uashingtonin dhe Tel Avivin.

Për Ramën, çdo pëllëmbë tokë e ka një çmim, dhe lëshimi i këtyre territoreve strategjike te lobet e huaja shërben si mburoja më e mirë diplomatike. Kjo qeverisje e ka humbur plotësisht legjitimitetin moral për të folur në emër të interesit publik.

Nga ana tjetër, shfaqet tragjikomedia e vdekjes klinike të opozitarizmit të vërtetë. Është e pafalshme që një opozitë që pretendon se është në luftë ekzistenciale me regjimin, të jetë aq anemike dhe kozmetike përpara një skandali të këtyre përmasave.

Sali Berisha, i bllokuar në betejat e tij personale për mbijetesë politike dhe biologjike, e ka kthyer partinë në një mburojë private. Ai është kthyer në peng të orekseve të veta për të kontrolluar vulën e lidershipit dhe çdo burim financiar, duke fshehur pas retorikës anti-qeveritare një frikë të madhe nga boshtet e huaja të investimeve.

PD nuk do ndalimin e ndërtimit të resortit por thjesht të reagojë sa për të kaluar radhën, sepse e di mirë që përballja me emrat që vijnë nga SHBA-të apo Izraeli është një lojë ku mund të humbasin gjithçka.

Ky realitet i hidhur na detyron të shtrojmë pyetjet më të rënda që sot po mbeten pa përgjigje në debatin publik: A ka marrë garanci Sali Berisha nga Uashingtoni se dosjet e tij në SPAK do të zvarriten në pafundësi, në këmbim të shërbimit si një opozitë e kontrolluar që nuk i prek interesat e tyre?

Po Edi Rama, çfarë garancie ka marrë nga Tel Avivi dhe zyrat e fuqishme të lobimit, se tjetërsimi i pasurive kombëtare do të tolerohet dhe do të kalojë pa u lagur nga prokurorët e posaçëm? A po përdoret Zvërneci si një monedhë gjeopolitike shkëmbimi për heshtje, amnisti të heshtur dhe imunitet të ndërsjellë?

Nëse SPAK nuk guxon të hyjë në zyrat ku ndahen këto leje dhe në zyrat ku heshtet për to, atëherë e gjithë reforma në drejtësi dështon dhe kthehet në një vegël selektive që trembet nga pasaportat e huaja dhe miliardat e investitorëve.

Zvërneci po na tregon se beteja nuk është më mes të majtës dhe të djathtës, por midis një kaste politike korruptive dhe qytetarëve të thjeshtë që po humbasin atdheun e tyre.

Nëse e lejojmë Zvërnecin të bjerë pa një rezistencë që shkund si qeverinë ashtu edhe opozitën e rreme, atëherë kemi pranuar që Shqipëria nuk është më një republikë, por një çiflig i ndarë mes dy njerëzve që bëjnë sikur grinden gjatë ditës për të ndarë fitimet natën nën bekimin e heshtur të faktorëve ndërkombëtarë. /tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit